☀️
Tiranë 26°C · Kthjellët 22 Shtator 2026
S&P 500 7,765 ▲1.49%
DOW 52,049 ▲0.71%
NASDAQ 27,122 ▲2.26%
NAFTA 90.63 ▼1.88%
ARI 4,360 ▼0.55%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1471 EUR/GBP 0.8577 EUR/CHF 0.9426 EUR/ALL 91.5594 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3629 EUR/TRY 55.9998 EUR/JPY 180.49 EUR/CAD 1.6081 EUR/USD 1.1471 EUR/GBP 0.8577 EUR/CHF 0.9426 EUR/ALL 91.5594 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3629 EUR/TRY 55.9998 EUR/JPY 180.49 EUR/CAD 1.6081
₿ CRYPTO
BTC $85,862 ▲ +0.95% ETH $2,739 ▲ +0.57% XRP $1.5315 ▲ +3.06% SOL $116.9100 ▲ +0.09%
S&P 500 7,765 ▲1.49 % DOW 52,049 ▲0.71 % NASDAQ 27,122 ▲2.26 % NAFTA 90.63 ▼1.88 % ARI 4,360 ▼0.55 % S&P 500 7,765 ▲1.49 % DOW 52,049 ▲0.71 % NASDAQ 27,122 ▲2.26 % NAFTA 90.63 ▼1.88 % ARI 4,360 ▼0.55 %
EUR/USD 1.1471 EUR/GBP 0.8577 EUR/CHF 0.9426 EUR/ALL 91.5594 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3629 EUR/TRY 55.9998 EUR/JPY 180.49 EUR/CAD 1.6081 EUR/USD 1.1471 EUR/GBP 0.8577 EUR/CHF 0.9426 EUR/ALL 91.5594 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3629 EUR/TRY 55.9998 EUR/JPY 180.49 EUR/CAD 1.6081
22 Sht 2026
Breaking
Kosova

Avokati britanik për dënimet në Hagë: Shumë zhgënjyese, Apeli mund të rrëzojë aktgjykimet

Avokati britanik Toby Cadman ka komentuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke shprehur shqetësim për dënimet dhe mënyrën se si janë trajtuar dëshmitë e mbrojtjes.

Në një intervistë për Euronews, Cadman ka folur edhe për mundësinë e zhvillimit të procedurave të apelit në Kosovë.

Cadman, i cili ka përfaqësuar më herët Nasim Haradinajn dhe njeh mënyrën e funksionimit të Speciales, i cilësoi dënimet, veçanërisht ato prej 25 vitesh për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, si “shumë zhgënjyese”.

Sa i përket procesit të apelit, Cadman vlerësoi se mbrojtja duhet të fokusohet te mënyra se si janë trajtuar deklarimet e dëshmitarëve të mbrojtjes, duke thënë se kjo mund të argumentohet për të kërkuar rrëzimin e aktgjykimeve.

“Sa i përket apelit, mendoj që duhet të argumentohet shpërfillja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes. Dëshmitë e mbrojtjes janë shpërfillur plotësisht dhe kjo duhet të argumentohet fuqishëm në apel dhe potencialisht të çojë në rrëzimin e aktgjykimeve. Si avokat, kam gjithmonë shpresë dhe besim në institucionet gjyqësore. Një nga gjërat që mezi pres”, tha Toby Cadman.

Sipas tij, fakti që procesi ka ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit ndikon në legjitimitetin e institucionit, ndërsa theksoi se Specialja është një tribunal ndërkombëtar në çdo aspekt, përveç emrit.

“Reagimi im i parë ishte se kjo ishte një formë e pritshme, por është shumë zhgënjyese, sidomos shkalla e lartë e dënimit. Është kohëzgjatje shumë e madhe e dënimit, sidomos për Thaçin dhe Krasniqin, që u dënuan me 25 vjet. Kur një proces është ngritur për të ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit, veçanërisht palën që ka vuajtur më së shumti, kjo ndikon në legjitimitetin e institucionit. Mendoj se një shqetësim tjetër është që vendimi jepet në emër të popullit të Kosovës. Kjo ka shkaktuar shqetësim të madh dhe po shohim lëvizje me sloganin ‘Jo në emrin tim’. Është e vështirë që kjo të barazohet me një gjykatë të Kosovës. Ky është një tribunal ndërkombëtar në çdo aspekt, përveç emrit”, tha Cadman.

Sa i përket hapave të mëtejshëm, Cadman tha se ndryshimi i ligjit për Specialen do të ishte i vështirë për shkak të presionit ndërkombëtar, ndërsa përmendi mundësinë që procedurat e apelit të zhvillohen në Kosovë. Ai argumentoi se ligji nuk e përjashton një mundësi të tillë dhe se do të ishte e preferueshme që proceset të zhvilloheshin në vendin ku kanë ndodhur ngjarjet.

“Kemi parë deklarata të shumta për ndryshimin e Speciales dhe mendoj për amendimin e ligjit, por mendoj se është shumë e vështirë që tani të ketë ndryshime. Një nga kritikat kryesore buron nga fakti se Specialja nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, nuk ka koordinim me ministritë apo institucionet e Kosovës. Nëse shohim përpjekjet për reformën para disa vitesh, kishte një lëvizje në Kuvend për ta shqyrtuar institucionin dhe për të parë mundësinë për reformimin e ligjit. Autoritetet e Kosovës nuk kishin kompetencë për të bërë ndryshime dhe ndërkombëtarët ishin kritikë ndaj çdo përpjekjeje për të ndryshuar këtë proces. Mendoj se edhe tani do të ishte i njëjti presion nga BE-ja dhe SHBA-ja. Vetëm BE-ja do të kishte autoritet për ta bërë. Marrëveshja e shtetit pritës është një marrëveshje ndërkombëtare. Ajo ka një klauzolë ku Kosova potencialisht mund ta paraqesë një kërkesë në arbitrazh. Potencialisht është diçka që mund të konsiderohet tani nga autoritetet shtetërore.

Si marrëveshje ndërkombëtare, është mes Kosovës dhe Holandës, që ka të bëjë me shtetin pritës. Me faktin që institucioni ndodhet në Hagë, jashtë Kosovës, janë bërë komente që procedurat e apelit të bëhen në Kosovë. Aktualisht nuk ka asgjë që e ndalon këtë, sepse ligji thotë se selia është në Kosovë dhe diku tjetër; ai nuk thotë se procedurat nuk mund të zhvillohen dhe të mbahen në Kosovë. Edhe unë kam thënë që është e preferueshme që kjo gjë të bëhet në vendin ku kanë ndodhur ngjarjet. Kosova, në të vërtetë, nuk ka ndonjë fuqi për t’i kërkuar institucionit dhe BE-së, por ama nuk ka asgjë që ta pengojë zhvillimin e seancave në Kosovë. Unë e kam mbështetur këtë edhe për arsyen se gjykata nuk ka qasje nga populli i Kosovës”, tha ai./euronews/

– YouTube www.youtube.com

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.