Avokati i Popullit zbardh 7 skemat me të cilat qeveria nxit varfërinë
Pas viteve 2008 niveli i varfërisë në Shqipëri ka shënuar rritje si pasoja më e qartë e krizës ekonomike. Treguesi që mat nivelin e varfërisë nga 12 për qind është rritur në 2014 për qind , ndërsa varfëria ekstreme përfshinë 2.2 për qind të popullsisë vendase. Duke analizuar fenomenin e varfrisë Avokati i Popullit në një raport për Kuvendin ka referuar se “megjithëse flitet shumë për një shtet social që mbron dhe respekton më të varfërinë dhe më të pambrojturin, sistemi ynë social realisht i dëmton ata”. Avokati i Popullit më tej ka renditur 7 mekanizma me të cilët shteti në vend që të ulë varfrin e ka nxitur më tej atë.
Së pari, ende nuk dihet zyrtarisht minimumi jetik në Shqipëri, si koncept që lidhet ngushtësisht me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, si dhe me përcaktimin dhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes sociale, sigurimeve shoqërore, sistemit të pagave, etj.
Së dyti, sot aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 81.621 (tetëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e njëzetë e një) familje dhe individë në nevojë nga rreth 1.1 milion familje që janë në shkallë vendi, dmth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh. Kriteret e përcaktuara për përfitimin e ndihmës ekonomike janë të tilla që përjashtojnë padrejtësisht individë, apo familje që, në fakt janë në kushtet e varfërisë. Edhe familjet dhe individët që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike, nuk arrijnë të përmbushin nevojat bazë jetike me këtë pagesë.
Së treti, papunësia është në nivele të larta dhe mundësia e punësimit nuk ofrohet sipas një skeme prioritare për individët e familjeve të varfra.
Së katërti, një familje ekstremisht apo absolutisht e varfër, nuk ka mundësi pagese të energjisë elektrike që mund të konsumojë, dhe në rastin më të keq i hiqet aksesi në rrjetin e furnizimit me energji elektrike, për shkak të mospagimit.
Së pesti një familje ekstremisht apo absolutisht e varfër nuk ka mundësi pagese të ujit të pijshëm që konsumon, dhe në rastin më të keq i hiqet aksesi në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, për shkak të mospagimit.
Së gjashti, sistemi ynë i sigurimeve shoqërore në kushtet e mospagesës së kontributeve për shkak të varfërisë së individit, siguron vetëm përfitimin e një pensioni social në një masë krejtësisht të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave bazë të jetesës, pas arritjes së moshës së pensionit.
Së shtati, mungesa e një kuadri të përshtatshëm ligjor për të drejtën për strehim, sot ka sjellë pasoja serioze dhe konflikte të reja sociale, gjatë trajtimit të rasteve të dëbimeve me forcë, si mungesën e sigurimit të një strehimi të përshtatshëm, për familjet me të ardhura të ulta (në varfëri ekstreme, apo absolute), familjet përfituese nga skemat e ndihmës ekonomike, gratë e pastreha viktima të dhunës në familje, apo edhe për kategorinë e ish qiramarrësve të strehuar në banesat shtetërore. Kriteret aktuale të përcaktuara në ligj nuk sigurojnë akses në sistemin e trajtimit me strehim social për individët dhe familjet varfra. Edhe kur arrihet ky akses nuk garantohet qëndrueshmëria e zgjidhjes së strehimit me banesë sociale, për shkak të mungesës së të ardhurave, apo të ardhurave të ulëta.
Avokati i Popullit vlerëson se, kushtet e varfërisë dhe mungesa e politikave sociale efektive kanë krijuar situata të konfliktit me ligjin. Sot është koha që shoqëria në përgjithësi dhe shteti në veçanti, të kthejnë kokën nga të varfrit.