Përse po mbyllen dyqanet e pianove në Amerikë?
Kur Jim Foster hapi dyqanin e tij të pianove 30 vite më parë, ai kishte dhjetë konkurrentë që shisnin vetëm piano. Kur ai e mbylli dyqanin e tij në fund të dhjetorit, ishte i vetmi që shiste piano në atë zonë.
“U përpoqëm shumë derisa gjetëm një blerës”, tha Foster. Dyqane të këtij lloji po bëhen gjithnjë e më të rralla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një nga arsyet është se pak persona studiojnë për këtë instrument dhe ata që janë të interesuar, blejnë një piano të përdorur ose një elektronike më pak të shtrenjtë.
Disa fajësojnë kompjuterët dhe të tjerë theksojnë koston e lartë të pianove të reja, por çfarë është e qartë, është rënia e shitjeve. Viti më i mirë për shitjen e pianove në SHBA ishte viti 1909, kur më shumë se 364 500 syresh u shitën. Por me rënien e ngadaltë nga viti në vit, shitja e pianove është aktualisht në shifrat 30 000 dhe 40 000 në vit.
Larry Fine, një mësues pianoje me bazë në Boston, njëkohësisht këshillues dhe autor, tha se e gjitha kjo është një tregues se shoqëria po ndryshon.
“Teknologjia kompjuterike ka ndryshuar gjithçka tek interesat që kanë tanimë fëmijët”, tha Fine, i cili ka gjithashtu një uebsajt që ofron këshillime për pianot e reja dhe ato të përdorura. “Njerëzit janë të interesuar te gjërat që nuk kërkojnë shumë mund, ndaj ideja e uljes dhe luajtjes çdo një orë në ditë për të mësuar pianon, nuk është diçka që fëmijët e sotëm e pëlqejnë”, tha ai.
Edhe sportet konkurrojnë me studimet e muzikës. “Fëmijët po përfshihen në shumë aktivitete të tjera, si futbolli, gjimnastika apo noti”, tha Walenta, drejtore e West Music, një filiali dyqanesh në Iowa dhe Illinois.
Për të pasur sukses tani, Walenta tha se shitësit duhet të përfshijnë familjen në edukimin muzikor. Kompania e saj ofron një program muzikor për fëmijët që në moshë të hershme, e cila fillon deri te bebet tremuajshe.
Një program për njohjen me tastierën e pianos është i disponueshëm për të rinjtë derisa bëhen gati të fillojnë mësimet individuale në moshën 7 ose 8-vjeçare.
“Foster Family Music” mbijetoi, sepse bëri diçka të ngjashme, duke ofruar piano dixhitale dhe akustike me përbërje elektronike për leksione të nxënësve dhe ftoi dhjetëra studentë të merrnin pjesë në eventet e mëdha të organizuara nga ajo.
Walenta tha se të tilla zhvillime te pianot, kanë mundësuar që të sigurohet se instrumenti do të vazhdojë të jetë i preferuar nga fëmijët që duan të mësojnë muzikën.
“Te një piano dixhitale, ata mund të praktikohen me tinguj nga më të ndryshmit. Kjo e bën mësimin e instrumentit më argëtues”, tha ajo. “Fëmijët e sotëm kanë nevojë për një lloj ndërveprimi që të shfaqin interes mbi gjërat”.
Kur Dennis Saphir mbylli dyqanin e tij të pianove së fundmi në periferi të Çikagos, ishte fundi i një biznesi që familja e tij e krijoi gjashtë breza më parë në Vjenë. Ai e trashëgoi nga i ati, i cili e hapi këtë biznes në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Saphir tha se shitjet e pianove të reja po hasin vështirësi, pasi më pak prindër po u kërkojnë fëmijëve të tyre të marrin mësime për instrumentet që i kanë tashmë në shtëpi.
“Në fakt e gjetëm veten në konkurrencë me pianot tona që hynë përsëri në treg dhe të cilat ishin në gjendje të mirë pune”, tha ai. “Ne u kishim shërbyer atyre dhe ishim siguruar që klientët të kujdeseshin për pianot. Ishin piano vërtet shumë të mira dhe çmimin e kishin të leverdishëm krahasuar me të rejat.”
Kosto mesatare e një piano të madhe të re vitin e shkuar ishte mbi 16 000 dollarë. Pianot e mirëmbajtura mund të bëjnë muzikë për 50 deri në 70 vjet, tha Peter Stumpf, një teknik pianosh nga Orkestra Simfonike e Pitsburgut dhe Universiteti Carnegie Mellon, gjithashtu në Pitsburg.
Stumpf pohoi se shitësit e pianove të reja janë të sfiduar edhe nga teknikët si ai, të cilët i rikonstruktojnë pianot e mirëmbajtura dhe i shesin ato për më lirë.
“Dizajno e pianove, rezistenca dhe fleksibiliteti i ri, i sjellë nga teknologjia, ndihmon që instrumenti i krijuar prej italianit Bartolomeo Cristofori më shumë se 300 vite më parë, të jetë ende i rëndësishëm”, tha Joe Lamond, president i Tregtarëve të Instrumenteve të Muzikës në Amerikë.
“Piano ofron mundësinë që një person të njihet me të gjitha notat dhe kjo është arsyeja përse është një nga instrumentet më të rëndësishme për ata që duan të fillojnë të luajnë muzikë. Kjo gjë nuk do të ndryshojë.”
- D.
*Burimi: Associated Press