Babai ka përdhunuar të bijën, analiza e ADN-së konfirmon akuzat e 15-vjeçare
Fatos Gurakuqi ka përdhunuar seksualisht të bijën minorene 15 vjeçare. Këtë fakt, përveç dëshmive, tashmë e ka konfirmuar edhe ekspertiza e ADN, sipas të cilës kampionë të mbetjeve humane në teshat e vajzës, kanë të njëjtin ndërtim gjenetik me kampionin e pështymës të marrë në sallën e gjyqit të pandehurit Fatos Gurakuqi.
Ky i fundit, edhe pasi u njoh me ekspertizën e ADN-së, sërish ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, mohim i cili tashmë duket se nuk ka më baza.
Përveç akuzës së kryerjes e marrëdhënieve seksuale në gjini, 39-vjeçari Gurakuqi akuzohet edhe për ushtrim dhune fizike ndaj vajzës dhe familjarëve të tjerë.
Sipas dëshmive të këtyre të fundit, Fatos Gurakuqi, ka abuzuar seksualisht me të bijën minorene për mbi 10 muaj derisa në fund vajza e ka denoncuar fillimisht tek e ëma dhe më pas edhe në polici.
Tashmë që të gjitha provat janë administruar nga gjykata, gjyqtari i çështjes, Gerd Hoxha, ka shtyrë seancën për t’i lënë kohë prokurorit të përgatisë konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Fatos Gurakuqi.
Një javë më parë, gjyqtari Hoxha denoncoi rrezikun e lirimit të të pandehurit për shkak të vonesën së paligjshme të ekspertizës së ADN-së nga policia shkencore. Por pas këtij denoncimi publik, ekspertiza u paraqit brenda dy ditëve në gjykatë.