BAKU – Azerbajxhani nënshkruan marrëveshje investimi prej 10,8 miliardë dollarësh, synon diversifikimin ekonomik
– Azerbajxhani ka nënshkruar 23 dokumente që parashikojnë projekte investimi me vlerë totale 10,8 miliardë dollarë, gjatë Forumit të Dytë Ndërkombëtar të Investimeve të Azerbajxhanit, të zhvilluar në Baku më 25 dhe 26 shtator, raportoi “Euronews”.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë së Azerbajxhanit, projektet përfshijnë fusha të ndryshme, mes tyre inteligjencën artificiale, energjinë, përfshirë energjinë e rinovueshme, ndërtimin, ekonominë digjitale, industrinë, bujqësinë, industrinë farmaceutike, financat dhe menaxhimin e ujërave.
Ministri i Ekonomisë, Mikayil Jabbarov, tha për “Euronews” se gjatë forumit u konfirmuan 10,8 miliardë dollarë në 26 kontrata, ndërsa të dhënat e Ministrisë së Ekonomisë raportojnë 23 dokumente për projekte investimi me të njëjtën vlerë.
Presidenti Ilham Aliyev tha gjatë forumit se qasja e Azerbajxhanit ndaj investimeve, nuk kufizohet vetëm te tërheqja e kapitalit, por synon edhe teknologjinë, ekspertizën, inovacionin dhe hyrjen në tregje të reja.
Ai theksoi se në forumin e parë, në vitin 2025, ishin nënshkruar marrëveshje investimi me vlerë mbi 10 miliardë dollarë, nga të cilat më shumë se 7 miliardë dollarë lidheshin me sektorë jashtë industrisë së naftës dhe gazit.
Në të njëjtën kohë, Azerbajxhani mbetet një ekonomi e mbështetur fuqishëm te hidrokarburet.
Sipas të dhënave të cituara nga “Reuters”, sektori jashtë industrisë së naftës dhe gazit, përbën mbi 70% të PBB-së, ndërsa nafta dhe gazi përbëjnë ende mbi 90% të eksporteve të vendit.
Në kuadër të forumit u njoftuan gjithashtu marrëveshje të rëndësishme në sektorin energjetik.
SOCAR, “TotalEnergies” dhe XRG morën vendimin përfundimtar të investimit për zhvillimin e plotë të fushës së gazit dhe kondensatit “Absheron”, ndërsa SOCAR dhe “ExxonMobil” nënshkruan marrëveshje për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve jokonvencionale në pellgun e Kura-s së Mesme.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, nëse përfshihen edhe projektet e shpallura gjatë “Javës së Energjisë” në Baku në qershor, vlera totale e projekteve të përbashkëta të planifikuara arrin në 16 7 miliardë dollarë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.