Balla: PD ka afat afat deri më 30 nëntor, më pas vijojmë me ndryshimet në Reformën Zgjedhore
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas largimit të opozitës nga mbledhja e komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke deklaruar se puna për reformën nuk mund të bllokohet për shkak të bojkotit të Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se janë katër rekomandime kryesore që duhet të marrin zgjidhje, ndërsa theksoi se për disa prej tyre ka pasur dakordësi politike prej vitesh.
“Janë katër rekomandime bazë që presin prej kaq vitesh. I pari është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Prej vitit 2020 ka një dakordësi mes dy blloqeve kryesore politike. Zgjidhja është aty, duhet ta miratojmë. I dyti është ligji për financimin e partive politike. Projektligji është gati dhe duhet çuar për miratim në seancë, pasi të kemi marrë edhe një verifikim të fundit nga Komisioni i Venecias. E treta lidhet me median, mënyrën se si transmeton dhe mbulon fushatën zgjedhore. E katërta është një çështje që mund ta zgjidhim edhe përmes një ndërhyrjeje në akte nënligjore, në vendime të Këshillit të Ministrave, për të parandaluar çdo ndërhyrje të administratës në fushatën zgjedhore dhe për të garantuar ndarjen e shtetit nga zgjedhjet dhe paanshmërinë e plotë të personave që punojnë në shtet”, deklaroi Balla.
Ai u ndal edhe te propozimet e reja të mazhorancës, duke përmendur ndryshimet që lidhen me ndarjen administrative-territoriale dhe financimin e partive politike. Balla paralajmëroi Partinë Demokratike se afati për t’u rikthyer në tryezën e diskutimeve është 30 nëntori.
“Puna është bërë, ekspertët kanë punuar. PD duhet ta ketë shumë të qartë. Koha kur PD kishte të drejtën ekskluzive të bllokimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor. Nëse deri më 30 nëntor PD nuk vjen në komision për të punuar për këto çështje dhe propozime të tjera, ne do t’i japim Shqipërisë mundësinë të zhvillojë zgjedhjet e 9 majit me ato ndryshime që kemi parashikuar”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, një prej ndryshimeve të propozuara lidhet me përfaqësimin e bashkive të vogla, të cilat janë bashkuar në kuadër të reformës territoriale, në këshillat bashkiakë. Ai theksoi se mazhoranca synon të vijojë edhe me ndërhyrje nënligjore për të parandaluar përfshirjen e administratës shtetërore në fushatat zgjedhore.
“Dua të ecim para me disa rregullime të tjera. Janë ndërhyrje nënligjore që do të bëjmë përmes qeverisë, të cilat lidhen me parandalimin e çdo forme të ndërhyrjes së administratës në zgjedhje. PD duhet të kuptojë që edhe ne kemi pasur propozimet tona. Një prej tyre është rikthimi i numërimit në qendrat e votimit. Kjo do të ulte kohën e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, deklaroi Balla.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për mënyrën se si po zhvillohen diskutimet në komision, Balla tha se përgjegjësia për bojkotin i takon Partisë Demokratike.
“Komisionin e bojkotuan ata. Komisioni nuk ka pse të ndërpritet dhe s’ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, të drejtën e vetos. PD t’i sjellë propozimet në komision, t’i diskutojë në komision, por bojkoti i komisionit nuk mund të përdoret si e drejtë vetoje”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Balla foli edhe për mundësinë e diskutimit të propozimit të opozitës për listat e hapura, duke bërë të ditur se PS është e gatshme ta shqyrtojë atë, por me një kusht.
“PS u shpreh e gatshme për të diskutuar për propozimin tuaj për listat, por me kushtin që të dakordësoheni për uljen e numrit të deputetëve në 101”, bëri të ditur Balla.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.