Balla për Zvërnecin: Gjithë kjo baltë kundër një investimi të certifikuar dhe me vetting të plotë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me ecurinë e investimeve të huaja në vend.
Duke u nisur nga nevoja për të informuar publikun me shifra dhe fakte, Balla e cilësoi projektin e ri në Zvërnec si një investim historik dhe më të madhin në historinë e Shqipërisë. Për të rrëzuar pretendimet e opozitës mbi rënien e investimeve, ai bëri një krahasim me vitin 2012, kur ato kapnin vlerën e 666 milionë eurove, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër ka arritur në 1.64 miliardë euro.
Sipas tij, kjo rritje prej 2.5 herësh reflekton edhe fuqizimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare, e cila është trefishuar duke kapërcyer vlerën e 17 miliardë eurove në vitin 2025. Përveç replikave ekonomike, zyrtari socialist nuk la pa ironizuar as zhvillimet e brendshme të opozitës, duke e uruar Berishën për fitoren në garën e Partisë Demokratike.
“Për publikun vlen që gënjeshtrës t’i përgjigjesh me shifra dhe fakte. Por, në parantezë nuk mund të vlerësoj fakin dhe qëndrimin pro investimit. Një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë. U tha këtu që investimet e huaja kanë rëndë. Investimet e huaja direkt në vitin 2012, që mbahet si viti më i mirë dhe i fundit i juaj ishin 666 milion euro. Ndërkohë në vitin 2025 shifra e investimeve të huaja shkon në një 1.64 miliard euro. Pra investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 2.5 herë. Urime edhe për fitoren në garën e PD, se ishte një garë e fortë dhe nuk dihej se kush do të fitonte. Por, pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit fitoi Saliu. Urime, fitore të tilla paçim gjithmonë. Ndërkohë sa i përket GPS, në vitin 2012 ishte diku poshtë 10 miliardëshit, ndërkohë në vitin 2025 e kemi kaluar 7 miliard euro. Asnjë vend tjetër në rajon nuk e ka trefishuar ekonominë e vendet në një kohë kaq të vogël.”
Më tej, ai u ndal te çështja e Aeroportit të Vlorës, duke sqaruar se ai po përfundon pikërisht mbi gjurmët e vjetra qindvjeçare pa pasur asnjë debat për vendndodhjen.
“Tani meqë u tha edhe për Aeroportin e Vlorës, është ndërtuar dhe po përfundon aty ku ka qenë gjurma e aeroportit të Vlorës që para 100 vitesh dhe nuk ka pasur asnjë debat për vendndodhjen.”
Lidhur me incidentet e fundit në Zvërnec, Balla dënoi aktin e dhunës të kryer nga persona privatë me licencë të anuluar, por theksoi se kjo nuk mund të përdoret për të hedhur baltë mbi një investim të certifikuar dhe me vetting të plotë.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai ftoi deputetët me eksperiencë ta shohin këtë projekt si një sprovë të madhe për vendin. Sipas tij, realizimi deri në fund i investimit në Zvërnec do të shërbejë si certifikim i vizionit “Shqipëria 2030”, për një vend anëtar në BE dhe pjesë të ligës së kampionëve në turizëm.
“Në rikthim të një përgjigje të detyruar, nuk ka asnjë dyshim që ai akt dhune nga persona privatë me licencë të anuluar tanimë, ishte iu dënueshëm. Por, asgjë tjetër nuk mund të ligjiferojë gjithë këtë baltë kundër një investimi, i certifikuar, me vetting të plotë. Mendoj që Kuvendi i Shqipërisë, besoj që ata që kanë eksperiencë politike ta shikojnë si një sprovë të madhe. Çuarja deri në fund e këtij investimi në Zvërnec është certifikimi i hapit përfundimtar të vizionit tonë Shqipëria 2030, anëtare në BE, por dhe anëtare e ligës së kampionëve në turizëm.”
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.