Dhunë për të gjithë!
Nga Mero Baze
Shqipëria po përballet me një valë dhune, autorësinë e së cilës po përpiqen ta lënë anonime. Po digjen biznese private, institucione shtetërore, ministri dhe ndoshta edhe Kryeministria.
Pas vitit 1997 dhe vitit 1998, ky është episodi më i dhunshëm në historinë e politikës shqiptare.
Nuk është ndonjë dramë e madhe që digjen zyra dhe dyer godinash. Drama reale është se dhuna po përpiqet të mbetet anonime.
Partia Demokratike, më e madhja në opozitë, është organizatorja reale e protestës. Njerëzit e saj janë të vetmit që përleshen në rrugë dhe po udhëheqin aktet e dhunës në emër të studentëve, të cilët nuk janë as në shesh dhe as në krye të zjarrvënësve.
Disa hiena të tjera politike, të cilat nuk bëjnë dot 40 veta në shesh, po përpiqen t’u bëjnë karshillëk disa deputetëve të PD-së, gjoja për t’i larguar nga protesta e tyre.
Kjo, përveçse është hipokrizi, është edhe një përpjekje tinëzare për ta lënë dhunën pa autor.
Autorët e dhunës janë njerëz konkretë. Ata janë të identifikueshëm, të hetueshëm dhe të ndëshkueshëm sipas ligjit. Deri më tani nuk ka asnjë statistikë policore që të provojë se në krye të dhunuesve të institucioneve apo të bizneseve private qëndrojnë studentë.
Ndaj është mirë t’i lëmë studentët në hallin dhe punën e tyre.
Dhuna e vitit 1997 kishte emër. Dhuna e vitit 1998 kishte emër. Dhuna pa emër, pa përgjegjës dhe pa udhëheqës politik është anarki. Ajo nuk sjell as ndryshim dhe as shpresë, përveçse i ndan palët dhe i fut të dyja në llogore.
Nuk jam i shqetësuar nga bilanci i dhunës. Kam parë edhe më keq në këtë vend dhe pasojat fizike të dhunës kanë kaluar shpejt, por Shqipëria e ka paguar shtrenjtë. Para vitit 1997 ishim shumë prane Evropes, dhe tani jemi 30 vjet pas.
Policia shqiptare, e cila po akuzohet për dhunë, në fakt është tërësisht e tërhequr dhe i ka lënë hapësirë dhunës.
Ata që kanë frikë të marrin përgjegjësinë e dhunës nuk e nxjerrin dot frikën nga vetja dhe nuk mund ta ndryshojnë vendin.
Kur dhunën e udhëheq një parti e madhe opozitare, njerëzit ndihen më të sigurt sesa kur e udhëheq një bandë anonime, dialekti i anëtarëve të së cilës shpesh nuk ngjan me atë të qytetarëve të Tiranës. Për këtë arsye, përpjekja që bëhet për të delegjitimuar udhëheqjen e protestës nga Partia Demokratike është një përpjekje tinëzare për ta lënë dhunën anonime.
Kështu janë të kënaqur të gjithë. PD-ja organizon dhunën me njerëz që thyejnë dyer, djegin ministri, hedhin në erë institucione bankare dhe rrahin qytetarë neutralë. Pastaj krijohen disa skena refuzimi brenda protestës për t’u siguruar atyre alibinë. Kështu, ata janë të kënaqur me dhunën pa marrë përgjegjësi për të.
Arlind Qorri dhe Agron Shehaj, fuqia e të cilëve arrin deri te disa guerilas përndjekës, ndihen të lumtur nga dhuna, por përpiqen që askush të mos marrë autorësinë e saj. As ata vetë. Thjesht e duan dhunën anonime, sepse mendojnë se, po doli mirë, u takon atyre, ndërsa, po doli keq, lajnë duart.
Edhe qeveria duket e kënaqur me dhunën. Ministritë janë pa roje dhe pa polici. Forcat speciale bëjnë spektakël me disa guerilas që po vetëshpallen heronj, që më shumë kanë rrahur familjarët e tyre se policët, por që nuk kanë lidhje me studentët, ndërsa zërat publikë kundër dhunës ndihen të frikësuar të flasin.
Kështu, dhuna tani është një zgjidhje e mirë për të gjithë. Për PD-në që e organizon, për Qorrin dhe Shehajn që e përdorin, për qeverinë që kërkon t’u tregojë qytetarëve se në duart e kujt mund të bien dhe, natyrisht, për Perëndimin, që mendon se këto janë protesta si ato në Francë apo Spanjë.
Është një zgjidhje e mirë për të gjithë, përveç Shqipërisë.
Dhuna ose duhet të ketë përgjegjësi politike, ose duhet të trajtohet si dhunë ordinere.
Nëse ka përgjegjësi politike, nëse asaj i del për zot PD-ja si partia organizatore reale, apo edhe të tjerë, atëherë nuk është aq shqetësuese, pasi ka një objektiv politik. Dhuna pa përgjegjësi politike nuk mund të lejohet, pasi nuk është më çështje politike, por çështje banditësh.
Dhuna e fundit e këtij lloji në Shqipëri ishte ajo e shtatorit 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit, e cila përfundoi brenda tri orësh në vjedhje dhe plaçkitje dyqanesh.
Nëse palët nuk marrin përgjegjësi politike për dhunën, atëherë fjalën duhet ta ketë rendi publik.
Dëmet e shkaktuara fizike dhe materiale janë simbolike në raport me dëmin politik që shkaktohet nga frika dhe burracakëria e politikanëve që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Dhunë politike ilegale nuk mund të ketë dhe nuk mund të pranohet. Aq më tepër në emër të studentëve, të cilët nuk janë as në shesh dhe as në ballë të dhunës.
Guximi për t’i dalë zot dhunës është akt politik. Përpjekja për ta lënë atë anonime është burracakëri. Qytetarët duhet ta dinë se në emër të kujt shqyejnë bankomate, dyer ministrish dhe xhama biznesesh ata që kanë marrë urën e zjarrit në dorë.
Nuk mund ta bëjnë këtë as në emër të qytetarëve të Tiranës, as në emër të studentëve dhe, mbi të gjitha, nuk mund ta bëjnë në emër të askujt, siç po përpiqen ta bëjnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.