Ballkani në pasqyra
Çdo mendonte Jozef Broz Tito nëse do të shihte reflektimin e tij në pasqyrat që kanë mbuluar hapësirën në hyrje të bunkerit? Si do të ngjante kostumi i tij ku reflektimi do të ngjiste në të fjalë lufte…Lufta tashmë i ka hyrë në trup. Njeriu që mundi të mbante të bashkuar një nga konfederatat më të mëdha në rajon, tashmë do të ishte përballë vetes. Njeriu përtej pasqyrës do të komunikonte me atë përtej, në një përballje gati si një grackë e vendosur enkas, në ballinë të vendit ku ai mendonte shpëtimin… Është instalacioni “Tango down” i artistit shqiptar, Helidon Gjergji, vepra e parë me të cilën përballesh sapo ke hapur derën e drunjtë që të çon në një nga bunkerët më të mëdhenj në rajon. Një provokim estetik, i cili të bën të ndalesh në këtë skaj krejtësisht transparent që të fton të bësh një udhëtim po aq të thellë sa pasqyra brenda një labirinti që do të mbronte dikur nga vdekja. Një guxim artistik i menduar mirë nga artisti, që kryqëzon në heshtje dhe ndërgjegjen e ish-udhëheqjes jugosllave. I rritur në një vend me numrin më të madh të bunkerëve, Gjergji i ka vendos pasqyrat për t’i bërë një skaner të shkuarës. Një instalacion që duket sikur ka vendosur në këtë korridor, ku dikur do të hynin qindra njerëz për t’i shpëtuar vdekjes, Ballkanin. Përmes një gjetje kaq të ndjerë siç janë pasqyrat, artisti ngre pikëpyetje mbi mënyrën sesi jemi sjellë me historinë dhe si e kemi parë atë. Ndonjëherë mosleximi i mirë i së shkuarës, vazhdon të sjellë konflikte në të tashmen. “Kjo është një vepër që të bën të mos harrosh”, thotë kuratorja kroate, Margarethe Makoveç. Dhjetëra vizitorë ndalen për të lexuar thëniet që ai i ka marrë nga lojërat e videogame, dhe i ka ngjitur në pasqyrë. Por a duhet fshirë kujtesa? Detyra e artit është të ngrejë pikëpyetje dhe Gjergji i lë të lirë vizitorët t’u japin përgjigje pyetjeve që ai ngre. Kjo vepër është ngjizur pikërisht këtu. Ai ka udhëtuar nga SHBA ku jeton për t’u njohur fillimisht me bunkerin, e më pas ka krijuar këtë instalacion, i cili ndodhet bri emrave të rëndësishëm të artit bashkëkohor si puna që sjell jehonën e luftës së Ibro Hasanoviç. Pasqyrat e tij do të mbeten në këtë bunker që tashmë është kthyer në një muze arti, si një pikëpyetje që do të shoqërojë përgjithmonë rajonin, mbi fqinjësinë, historinë dhe të ardhmen. Pasqyra që do t’i bëjnë gjithnjë vizitorët të kthehen pas, në kohë dhe gjendje që do t’i reflektohen aty. Por përtej konceptit artistik, kjo vepër merr një dimension tjetër për vetë origjinën e artistit. Udhëtimi në këtë muze do të bëhet gjithnjë nga një vepër shqiptare, bërë nga një artist i rëndësishëm i kohës, që ka futur brenda saj elementë që e bëjnë të ngjajë gjithnjë e re. Një vepër që godet emocionet që në hyrje dhe i bën të qeta ato si ujërat e Netridës kur ke mbaruar rrugëtimin në dhomat e pafundme që inxhinierët më të mirë të ish-Jugosllavisë i ndërtuan për kohë lufte. Teksa kalon pasqyrat e Gjergjit dhe ecën korridorit të ngushtë mund të harrosh se je duke ecur në një bunker. Tri edicionet e Bienales duket se e kanë kthyer atë në një muze të artit bashkëkohor. Instalacione, video, apo fotografi të bëjnë sikur po ecën në një nga galeritë më të mira bashkëkohore sot në Paris a Berlin. Ëndrra e Edo Hoziç, “babait” të kësaj Bienaleje, duket se ka marrë formë. Sandra Miljeviç, koordinatore e Bienales thotë se gjithë lodhja e ditëve për t’i dhënë jetë këtij projekti duket sikur fashitet teksa ecën dhe vështron punët. Me këto vepra ata kanë sfiduar Titon, megjithëse Sandrës nuk i pëlqen të flitet keq për ish-udhëheqësin jugosllav. Teksa të tregon dhomën e gjumit kur Tito do të kalonte ditët me Jovanka Budisavljeviç, ajo tregon se njerëzit kanë nostalgji për kohët e tij. “Në ato vite njerëzit jetonin mirë. Në rrugë nuk kishte turbo-folk, por rok. Askush nuk e urrente njëri-tjetrin. Ishte socializëm dhe jo komunizëm”, thotë ajo. Sandra, ish-këngëtare opere që tashmë jetën ia ka kushtuar dhënies jetë të këtij projekti bashkë me të shoqin Hoziç, ishte 14 vjeç kur ish-lideri jugosllav vdiq. Kujton ende lotët e drejtorit të shkollës atë ditë zie për ish-Jugosllavinë. “Nuk vdiq vetëm Tito, por dhe drejtësia”, thotë ajo, duke treguar se tashmë vendi është zhytur në korrupsion, dhe se nacionalizmi po kthehet në një rrezik jo vetëm për Bosnjën. Ajo ndalet te një vepër e artistit serb, Dragoljub Rasa Todosijeviç, ku përtej një dollapi rrotullues të kohës së Titos, dalin tingujt e muzikës së këngës “Hand over the money, jackass”. I ndodh të ulet përballë këtij instalacioni realizuar në edicionin e parë të Bienales më 2011 dhe të humb. Vetëm muzika mund ta ndryshojë këtë grua boshnjake, që sa herë kalon nëpër hapësirat e bunkerit, i duket sikur udhëton në kohë, dhe ndien vazhdimisht zërin e së ëmës, që iu nda nga jeta shumë shpejt teksa i thotë se “njerëzit ndahen në të mirë dhe të këqij dhe jo në boshnjakë ose serbë”. Pak më tej vepra e Denica Dakiç artiste e lindur në Sarajevë dhe që jeton në Gjermani, mbart brenda dramën njerëzore. Në dhomën e hotel “Opatija” përballë pasqyrës qëndron një grua. Ajo është Jelica Dakiç, nëna e saj, e cila ka qenë shoqe e ngushtë dikur me gruan e Titos, Jovankën. Ato kanë studiuar në të njëjtën shkollë bashkë, por jetët e tyre ndryshuan përgjithmonë nga burrat që zgjodhën. Jelica ishte një grua e mrekullueshme me një sens humori. Fustani dhe vëthët e saj tregojnë feminitetin e ruajtur me kujdes të një gruaje me botë që kërkon t’i hedhë tej vitet. Denica është rritur me kujtimet e saj me Jovankën. Por ndryshe nga Jovanka ajo nuk mundte dot dikur të flinte në një dhomë të tillë hoteli, dhe jeta e saj ishte e thjeshtë. Sandra ndalet shpesh për të parë vështrimin e Jenicës, si të shohë vështrimin e nënës së saj, po aq të butë përtej pasqyrës. “Të shohësh veprat e artistëve është si të shohësh ish-Jugosllavinë”, thotë Sandra. Dhe pse pjesa më e madhe e artistëve vijnë nga vende që nuk kanë njohur histori të tilla, duket se dhembja tregohet njësoj në çdo gjuhë. Adela Jusiç, një artistë e re nga Sarajeva ia ka kushtuar punët e saj në këtë edicion femrave. Me shaminë në kokë, një vajzë që dikur duhet të kishte moshën e saj është e përqendruar në një libër. Ajo ka zgjedhur foto të vitit 1953, të kohës kur ideja e një lufte atomike ishte në horizont, përmes vështrimeve që i bën humbjes së vëmendjes ndaj gruas si qenie e duke u parë dhe nga burrat si një qenie socialiste. Imazhet e zgjedhura nga Jusiç janë marrë nga shtypi i kohës. “Gram” është një tjetër video interesante e këtij edicioni realizuar nga artistët kroatë Markus Haslinger, Wewe Seisner. Dy burra që pinë cigare në pritje të asaj që do të ndodhte. Artisti serb, Mladen Stilinoviç, ka bërë një tekst instalacioni në depozitat që do të mbanin me ajër bunkerin për gati 6 muaj. Nikolay Oleynikov nga Rusia ka kthyer një dhomë të bunkerit në dhomën e djalit imagjinar dhe të fshehtë të Titos. Me një qasje erotike, Nikolay sjell historinë e fëmijës së fshehtë të Titos dhe Jovanka Broz në një koncept që mbart brenda të panjohurën dhe historinë. Misteri është gjithnjë aty, mjafton të grishësh diçka nga gjetjet e Oleynikov. Selma Selman nga Budapesti pozon vetë në kamionin e vjetër të punës së familjes, duke ironizuar ideologjinë socialiste, dhe kodet e punës. Pjesë këtij edicioni ishin dhe tre artistë të tjerë shqiptarë Flaka Haliti nga Kosova, Alketa Ramaj dhe Dritan Hyskaj. “Lindje – perëndim – lindje” quhej instalacioni i Ramaj, shkruar në shqip. Ndërsa Hyska përmes fotove bardhezi të quajtura “shtëpi për dy vëllezër”, sillte një qasje të këtij fenomeni shqiptar ndaj familjes. Janë të pafundme historitë që gjen në bunkerin që Tito e ndërtoi me vizion për të mbajtur gjallë njerëzit e tij më të afërt në kohë të një lufte atomike. Një bunker kundër shfarosjes, i cili tashmë mban brenda punë të artistëve më të njohur të artit bashkëkohor, punë që duket që të çojnë larg në histori, për të marrë prej andej leksionet e duhura për të ardhmen. Këtë vit Bienalja u kurua nga një kuratore shqiptare Adela Demetja dhe dy kuratorë kroatë Margarethe Makovec dhe Anton Leder. Në edicionin e tretë, artistët pjesëmarrës ishin Leone Contini, Dante Buu, Vahida Ramujkic, Dejan Dosljak, Eddi&Amir, Helidon Gjergji, G.R.AM, Tue Greenfort, Flaka Haliti etj.