Arte

Ballkani, zbret në Pogradec

artNga data 1 deri më 7 shtator rikthehet në qytetin e Pogradecit B3F (Balkan Film & Food Festival). 70 filma autorësh nga i gjithë Ballkani në garë për kupat e festivali

Ballkani mund të kuptohet më mirë përmes filmave. Kinemaja ka mundur të jetë gjithnjë libri më i mirë për të vështruar historinë, apo raportet njerëzore të vendeve. Filmat shqiptarë, apo ata të Kosovës, këto vitet e fundit, vazhdojnë të tregojnë historinë e së shkuarës, atë të ish-komunizmit në Shqipëri, dhe luftën në ish-Jugosllavi, apo tranzicionin e gjatë të këtyre dy dekadave… Në ekranin e madh të kinemasë “Lasgush Poradeci” në qytetin e Pogradecit, prej tre vitesh çdo fillimshtatori është ndier shpirti ballkanik. Drama e Bosnjës, apo kriza greke, përpjekja e maqedonasve për të treguar identitetin e tyre në një popullsi të përbërë nga pakica, janë ndier në rrëfimet e regjisorëve të këtyre vendeve, në këtë ekran. Të lexosh Ballkanin do të thotë ta kuptosh më së miri atë, përmes personazheve që duket sikur flasin nga jeta reale. Fatos Baxhaku, gazetar i dhënë pas historisë dhe regjisori i ri Eno Milkani, e dinin se Ballkanin mund ta njohësh më mirë përmes dy elementeve, kinemasë dhe ushqimit. Nga kjo ndjesi ata krijuan dy vjet më parë “Balkan Film & Food Festival”, një festival që ndërthurte bukur këto dy elemente. Për tre vite rresht, shtatori ndryshoi jetën e qytetit bri liqenit, Pogradecit, duke u kthyer në një qendër arti. Aktorë, regjisorë, kritikë të kinemasë, nga vende të ndryshme të Ballkanit kanë qenë pjesëmarrës në këtë event, që jo vetëm solli një pasqyrë të situatës në kinemanë e fqinjëve, por dhe nxiti debate mbi kinemanë sot. B3F (Balkan Film & Food Festival) kthehet sërish nga data 1 deri më 7 shtator, tashmë më i konsoliduar me një program joshës për publikun. “Edicioni i katërt i festivalit do të ketë në gjirin e tij sivjet edhe më shumë të rinj, të cilët do të kenë mundësi të punojnë përgjatë një jave nën drejtimin e ekspertëve të njohur të filmit. Ja pra ky do të jetë festivali: konkurrimi i filmave nga krejt Ballkani të gjykuar nga një juri joballkanike, shijimi i Ballkanit edhe për nga kuzhina, freskia e liqenit të njohur e bashkuar me freskinë e prezencës rinore”, shprehen organizatorët. President i Festivalit është regjisori i njohur Pirro Milkani, ndërsa juria këtë vit është e përbërë nga Aleksander Manic, i cili ka punuar me Emir Kusturicën, kritikja gjermane Petra Behlke-Campos, Eric Velthuis dhe producenti Thomas Logoreci. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë dhe workshop-e, lidhur me tema të ndryshme mbi kinemanë. Shota Bukoshi, e njohur për filmin dokumentar “Dy rrëfime dashurie”, gjatë tri ditëve, do të flasë për teknikat e aktrimit. Prej vitesh ajo punon si aktore në Gjermani. Regjisori Esat Mysliu, profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë, do të punojë me një grup studentësh për të realizuar një film të shkurtër gjatë ditëve të festivalit. Filmi do të shfaqet ditën e fundit të Festivalit. Ana Grgic, studiuese e filmit ballkanik, do të japë leksione mbi kinemanë ballkanike. Ajo do të analizojë filmin “Koncert në vitin 1936”, të regjisorit Saimir Kumbaro. Dokumentari kushtuar jetës së Lasgush Poradecit do të shfaqet gjatë ditëve të festivalit. Autorët kanë përdorur, me shumë finesë edhe dukuritë e vendlindjes së poetit, njerëzit që e kanë rrethuar, e kombinuar kjo edhe me materialet e arkivit të TVSH dhe të AQSHF. Engjëll Ndocaj do të sjellë dokumentarin “Përmes kujtimeve të mia”. Një çerekshekulli më parë, emri i Lukovës lidhej me brezaret e rinisë. Një grup studentësh gjatë praktikës mësimore në vitin 1987 ishin personazhet e një dokumentari të realizuar nga TVSH. Gjatë muajit korrik, një tjetër dokumentar, i cili e ka parë fshatin tashmë të njohur edhe për

vlera të tjera me syrin krahasimtar nxjerr në pah anën deri më tani të panjohur të Lukovës sidomos. Dokumentari kushtuar jetës së aktores Margarita Xhepa nga regjisori Kujtim Gjonaj do të jetë në ekranin e festivalit. Filmat shqiptarë me metrazh të shkurtër pjesëmarrës janë: “4 floor rock” i Enxhi Ristës, “Ardit” i Lorina Becit, etj. Kinemaja maqedonase prezantohet me filmat e regjisorëve Nikola Popovski, Aleksandar Zikov, Vladimir Stojcevski. Kosova prezantohet me filmat “Amel” e regjisorit More Raca, “Heshtja” e regjisorit Bekim Guri, “Qyteti i zi” i Dibran Fylli, “I thyer” i Bashkim Myftarit, apo filmi “The loot” Nart Zeqiraj. Premierat në festival do t’i kenë filmat “Çfarë bote e mrekullueshme” e regjisorit Anatol Durbala. Filmi është inspiruar nga një ngjarje reale, e prillit të vitit 2009 në Chisinau ku dhjetëra të rinj gjatë një proteste u dhunuan dhe arrestuan. Premierë do të ketë dhe filmi gjeorgjian i regjisorit Alexandre Baevi “Na ishte njëherë në një tjetër kohë”.

Nuk mungon në këtë edicion as kinemaja serbe me emra të saj përfaqësues, ajo bullgare, rumune, turke, greke, kroate, sllovene. Këtë vit, festivalit do t’i bashkohen dhe performancat e grupeve folklorike. Ansambli folklorik “Tirana” do të jetë pjesëmarrës. Repertori i këtij ansambli mbështetet në muzikën tradicionale shqiptare me këngët, vallet, pjesët orkestrale si dhe ritet e lojërat e ndryshme popullore kryesisht të Tiranës dhe

rrethinave të saj. “Fyejt e Gramshit” me një histori 50-vjeçare duke debutuar në skenë qysh në FFK të Gjirokastrës në vitin

1968, por me formacion të plotë në trajtën e një ansambli

të mirëfilltë me 20 instrumentistë, grupi doli në skenën e FFK të

Gjirokastrës të vitit 1973. Prej këtij viti, “Grupi i Fyejve të Gramshit” fitoi një njohje të gjerë jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare. Ky grup i veçantë do të jetë i pranishëm gjatë ditëve të festivalit. Tematika dhe interpretimi i folklorit të rrethit të Gramshit është mjaft i larmishëm si në zhanrin lirik, ashtu edhe në atë epik. Veç muzikës me fyejt karakteristikë, gjejmë aty edhe këngën polifonike toske me tre zëra, vallen karakteristike dyshe, muzikën me instrumente si tambura, qemenxhe, pipëz, bilbil, gajde, etj., si dhe lojërat, ritet,

këngët dhe vallet humoristike… I pranishëm në festival do të jetë dhe grupi folklorik “Miqësia” nga Ura Vajgurore. Festivali ka dhe një sesion të veçantë kushtuar filmave të vjetër shqiptarë.

Në një ekran të madh të vendosur në ‘odeonin’ në parkun e qytetin në anë të liqenit do të shfaqen në orët e darkës edhe filma të vjetër, prodhime të Kinostudios Shqiptare dhe të RTSH me tematikë nga Pogradeci. Po këtu do të shfaqen edhe filma të tjerë nga Ballkani, Shqipëria dhe Europa, prodhime të viteve të fundit në kinematografi.

Përveçse një javë e mbushur me filma, java e parë e shtatorit në Pogradec kthehet në një javë ku kinemaja ballkanike ballafaqohet përmes krijimeve të tyre më të mira.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button