Ekonomia

Balluku: Ndërpriten të gjitha fluturimet dhe lundrimet me Italinë, avionë e anije bosh për tërheqjen e shtetasve italianë nga Shqipëria

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot se dy aeroportet drejt Italisë që kishin mbetur të hapura, ai i Romës dhe Barit nuk do të jenë më të aksesueshëm.

Ky vendim, bëri të ditur ministrja Balluku vjen në kuadër të masave në vijim të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Avioni i fundit i Alitalia-s, është ulur në 10.30 në Rinas me 64 pasagjerë të cilët kanë kaluar të gjithë kontrollin mjekësor dhe janë regjistruar nga grupet e shërbimit mjekësor të vendosura në këtë aeroport për tu kontrolluar dhe u është kërkuar auto karantinimi. Avioni tjetër është nisur në 11.40 drejt Romës dhe këtu ndërpriten të gjitha fluturimet me Italinë”, deklaroi ministrja Balluku.

Ministrja bëri të ditur se në rast se autoritetet italiane kërkojnë të tërheqin nënshtetas të tyre, kjo do të bëhet e mundur nëse ato do të sjellin avion bosh pa pasagjerë për t’i tërhequr ata.

E njëjta gjë the ministrja vlen edhe për transportin detar të pasagjerëve.

“Sonte do të jetë lundrimi i fundit i trageteve të linjës Vlorë-Brindizi e Durrës-Bari me pasagjerë që kanë blerë bileta. Pas këtij itinerari nuk do të ketë udhëtime të tjera në drejtim të Barit apo Brindizit”, shpjegoi ministrja.

Nëse autoritetet italiane, tha ministrja, kërkojnë të dërgojnë anije për të tërhequr shtetas italiane apo edhe shtetas të tjerë, të dërgojnë anije bosh.

Por ministrja ritheksoi se do të lejohet lëvizja e anijeve dhe avionëve që transportojnë mallra.

“Të gjitha anijet tregtare që kanë si objekt të tyre tregtimin e mallrave nuk kanë asnjë lloj bllokimi në Republikën e Shqipërisë. Për sa i përket personelit, do të jenë në kontroll të stafit të mjekësor të vendosur në dy portet. E njëjta gjë është edhe për transportin ajror të mallrave”, deklaroi ministrja.

Ministrja po ashtu informoi se do të bëhen publike gjatë ditës së sotme edhe masat për funksionimin e transportit urban brenda qytetit, që janë vendosur pas mbledhjes së komitetit ad- hoc. “Po ashtu, tha ajo masa po të merren edhe për transportin ndër qytetas.

“Kjo është një ngjarje dinamike dhe ne mundohemi ta kontrollojmë të mos të kemi përhapje të virusit. Lëvizja e lirë është e drejtë e çdo njeriu, por ne jemi për të mbrojtur jetën e të gjithë njerëzve të tjerë”, u shpreh Balluku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button