Baltiku: dorë për dore drejt Evropës
Para 25 vjetësh sytë e botës ishin drejtuar nga Baltiku: me një zinxhir të gjatë njerëzit atje demonstronin për pavarësinë e tyre. Që atëherë kanë arritur shumë.
Ishte një ditë historike: të mërkurën e 23 gushtit 1989 rreth dy milionë qytetarë të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë krijuan një zinxhir njerëzor mbi 600 kilometra të gjatë. Ata këndonin këngë në gjuhët e tyre kombëtare në shenjë proteste kundër sundimit sovjetik. Dorë për dore në 50-vjetorin e paktit Stalin-Hitler ata donin t’i rikujtonin botës se Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste e patën ndarë asokohe Evropën. Tre vendet balltike i patën kaluar kështu Bashkimit Sovjetik. Zyrtarisht tek sovjetikët për dekada me radhë nuk pranohej ekzistenca e protokollit të fshehtë.
Megjithëse aksionin masiv i cili mori emrin “rruga balltike”, ishte ndaluar nga autoritetet sovjetike, njerëzit dolën në rrugë dhe demonstruan në mënyrë paqësore për pavarësinë e tyre. Politika e Gorbaçovit Perestrojka e mundësoi atë. 23 gushti 1989 vendosi gurin e themelit për pavarësinë e tre shteteve në vitin 1991.
Vënie në lëvizje me aksione paqësore
“Demonstrimi bëri që njerëzit të ishin të sigurt që me aksione paqësore, me guxim dhe angazhim mund të ndryshonin diçka, që mund të vinin diçka në lëvizje kundër kësaj në dukje superfuqie politike”, përmbledh rëndësinë e asaj dite Norbert Beckmann-Dierkes, drejtor i zyrës me jashtë të Fondacionit Konrad Adenauer për Letoninë dhe Lituaninë.
Zinxhiri i suksesshëm i njerëzve ka pasur një ndikim të madh në zhvillimet e mëvonshme të tre vendeve, thotë sipërmarrësi dhe ish politikani estonez Raivo Vare në intervistë me DW: “Një gjë e tillë nuk ishte parë deri atëherë. Kjo i tregoi gjithë botës se çfarë ndodh në Balltik.” Dhe që prej atij momenti të gjitha u zhvilluan shumë shpejt. Me një zell të madh për reforma ish republikat sovjetike ndërmorën transformime politike dhe ekonomike. Pak kohë pas pavarësisë Estonia, Letonia dhe Lituania u pranuan në Nato dhe BE.
Rikthim në familjen evropiane
Gjatë 25 viteve të fundit shtetet balltike kanë arritur shumë, thotë Beckmann-Dierkes: “Sisteme politike të qendrueshme. Parti të cilat e marrin seriozisht mandatin e tyre demokratik. Liri e shprehjes së mendimit, të tubimit, medie të lira – të gjitha gjëra që karakterizojnë demokracitë tona. Dhe kështu edhe një rikthim në qendër të Evropës”.
Raivo Vare ka qenë ministër shteti në qeverinë e parë pas pavarësisë. Më pas ka mbajtur postin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës në shumë kabinete. Edhe ai e konsieron si ngjarjen kyçe “rikthimin në familjen evropiane”: “Kjo u realizua me një ritëm më të shpejtë nga sa mendonim ne asokohe”.
Po si ia dolën mbanë balltikasit? Të tjera ish republika sovjetike si Ukraina kërkojnë në kushte dramatike rrugën e tyre drejt Evropës. Vare shpjegon se përgjigja duket kërkuar para së gjithash në historinë e Balltikut. “Regjimi i ashpër sovjetik zgjati tek ne vetëm 50 vjet. Ende jetojnë njerëz të cilët e njihnin kohën para sundimit sovjetik. Por për fat të keq ndryshimi nuk ishte aq paqësor as tek ne”, thotë Vare. Ai kujton natën e 12 janarit 1991 kur trupat e Ministrisë së Brendshme sovjetike sulmuan një qendër televizioni në Lituani dhe si pasojë humbën jetën 11 vetë, të cilët i dolën përpara tankeve sovjetike.
Receta e suksesit: kursime dhe reforma
Sot tre shtetet balltike gëzojnë një gjendje të mirë jo vetëm politike por edhe ekonomike. “Ajo që më habit gjithnjë është që njerëzit në tre vendet balltike kanë pranuar shumë sakrifica dhe kanë thënë: do t’ia dalim mbanë edhe këtë herë. Dhe me këtë kanë pasur sukses”, thotë Beckmann-Dierkes. Letonia, Estonia dhe Lituania me rritjen e tyre ekonomike pas krizës së ekonomisë gjenden sot në një rrugë shumë të mirë dhe i kanë stabilizuar ekonomitë kombëtare, vlerëson vëzhguesi gjerman. Në stabilitet kontribuon edhe fakti i futjes shpejt në zonën e euros.
Çelësi për suksesin ekonomik gjendet në zbatimin konsekuent të reformave radikale, mendon edhe Raivo Vare: “Tani kërkohet që rritja ekonomike të përshpejtohet në mënyrë që të arrihet niveli i fqinjve tanë në Skandinavi. Për këtë pëpiqemi me të gjitha forcat.”
Frika nga Rusia
Por jo gjithçka është e përsosur. Një problem vazhdon të jetë raporti me Rusinë. Përveç varësisë energjitike dhe një kërcënimi të mundshëm ushtarak nga fqinji i madh, shqetësim shkaktojnë edhe pakicat ruse në shtetet balltike. Nuk është bërë sa duhet për t’i integruar pakicat në shoqëritë balltike, kritikon Raivo Vare. Nga njëra anë janë “eurorusët”, para së gjithash të rinj që janë në masë të madhe të integruar. Por nga ana tjetër janë kryesiht njerëzit më të moshuar të cilën janë ende nën influencën e fortë të Rusisë dhe medieve ruse, thotë Vare.
Beckmann-Dierkes beson megjithatë se problemi nuk duhet mbivlerësuar. “Në sondazhet serioze nuk kam njohur deri tani askënd nga pakica ruse që të ketë thënë se kërkon tani patjetër të kthehet në Rusi, përkundrazi edhe këta njerëz vlerësojnë avantazhet si liria e lëvizjës apo siguria ligjore që ofron BE”.