Banka Botërore paralajmëron qeverinë shqiptare se financimi i borxhit është në rrezik
Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, risqet që lidhen me kursin e këmbimit, normën e interesit dhe rifinancimin mbeten të larta.
Sipas raportit, të ardhurat më të larta nga taksat dhe borxhi i ri i lejuan qeverisë të rriste shpenzimet për infrastrukturën. Qeveria gjithashtu rriti subvencionet për Ndërmarrjet Shtetërore të Energjisë (NSH) për të siguruar furnizimin me energji gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021. Detyrimet kontingjente nga NSH-të paraqesin rreziqe të mëdha për buxhetin.
Sipas tabelave të Bankës Botërore, borxhi publik pritet të zbresë në 75.1% të PBB-së në vitin 2024. Më herët, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka këshilluar shpesh qeverinë shqiptare që të tregohet e kujdesshme me shpenzimet dhe konsolidimin fiskal. Në raportin e fundit, në dhjetor të vitit të kaluar, FMN ka paralajmëruar për rritjen e rreziqeve fiskale të vendit dhe mungesën e të dhënave të sakta për projektet e partneritetit publik privat (PPP). Vendimet e gjykatave, skema e re e garancive për sektorin privat dhe mbështetja për kompanitë energjetike vlerësohen gjithashtu si rreziqe të shtuara.
Raporti uli pritshmërinë për rritjen
Në raportin e fundit, Banka Botërore ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit. Banka pret tashmë që ekonomia vendase të rritet me 3.2 për qind, ose 0.6 pikë përqindje më pak se raporti i mëparshëm. Edhe për vitin 2023, ekonomia pritet të rritet me 3.4%, ose 0.3 pikë përqindje më pak se vlerësimi i mëparshëm. Për vitin 2022, perspektivat janë të pasigurta dhe rreziqet janë shtuar, thotë banka në pjesën për Shqipërinë. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vazhdueshme mund t’i shtyjnë çmimet e energjisë, ushqimeve dhe mallrave në nivele edhe më të larta, duke zvogëluar fuqinë blerëse dhe konsumin e familjeve./Monitor