Ekonomia

Banka Botërore: Rifinancimi i borxhit në Shqipëri zbuti riskun

Ritmi i rritjes ekonomike dhe uljes së varfërisë në Shqipëri u ngadalësua ndjeshëm nga kriza botërore financiare dhe kriza e mëpasshme në eurozonë.    Për të zbutur risqet me të cilat përballej stabiliteti makrofiskal në Shqipëri, qeveria mori një dorëzani (garanci) prej 200 milionë euro nga Banka Botërore, e cila mundësoi gjetjen e financimit në sektorin privat me nivele interesi tejet tërheqëse.   Në kushtet e një tregu financiar botëror të luhatshëm, burimet e mëpasshme e lehtësuan presionin për fonde për Shqipërinë, si edhe riskun e rifinancimit të borxhit.

Ky është konkluzioni i Bankës Botërore në raportin e fundit “Zbutja e riskut, sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale në Shqipëri”.

Sipas raportit, risku i rifinancimit lidhet me rifancimin e borxhit dhe prek më së shumti huamarrësit, kur borxhit që kanë marrë i afrohet afatit të shlyerjes, ndërkohë që mundësitë e shlyerjes janë vetëm duke marrë borxh të ri. Për shembull, nëse normat e interesit rriten në nivele të padëshirueshme, huamarrësve do t’u duhet ta rifinancojnë borxhin me norma më të larta interesi dhe do të detyrohen të paguajnë më shumë interesa në të ardhmen.

Shqipëria u përball me një risk të tillë pas krizës financiare botërore të vitit 2008 dhe iu drejtua Bankës Botërore për ndihmë. Rezultati i kërkesës qe një dorëzani (garanci) e mbështetur në politika, me vlerë 200 milionë euro, e cila e ndihmoi qeverinë të siguronte 250 milionë euro nga banka ndërkombëtare.

Kjo pati rëndësi kritike për vendin, në mënyrë që të zvogëloheshin risqet e rifinancimit të një obligacioni me vlerë 300 milionë euro, në një kohë kur kërkesa në tregun e brendshëm kishte rënë për letrat afatmesme dhe afatgjata me vlerë të qeverisë, të emetuara në lekë. Dorëzania arriti t’i përmbushte nevojat për financim të qeverisë dhe t’i minimizonte kostot e huamarrjes, me një kursim prej përafërsisht 120 milionë euro në formë interesash gjatë gjithë periudhës së kredisë, në krahasim me një emetim obligacioni individual.

“Pa dorëzaninë e Bankës Botërore, tregu do të  kërkonte një prim më të lartë mbi huadhënien për Shqipërinë ,” thotë Gianfranco Bertozzi, nëpunës i lartë për financat pranë Bankës Botërore.  “Kostoja e financimit për Shqipërinë në tregjet e kapitalit qe asokohe mbi 7% për borxh me të njëjtin afat shlyerjeje.”

Falë kësaj dorëzanie, Shqipëria ia doli të merrte 250 milionë euro me afat shlyerjeje 10 vjet me normë interesi EURIBOR + 1,3%, gjë që tregon se si vendet e ndryshme mund të përdorin produktet e Bankës Botërore për të siguruar financim më pak të kushtueshëm me afate më të gjata shlyerjeje, nga sektori privat.

Kjo dorëzani ka qenë pjesë e një serie Financimi për Politikat për Zhvillim (DPF) e projektuar për t’u dhënë zgjidhje risqeve më kryesore me të cilat përballet stabiliteti makrofiskal i Shqipërisë. Në këto risqe bënte pjesë rritja e shpejtë e borxhit publik (nga 54,7 për qind në vitin 2008  në 70,7 për qind në vitin 2013), një sistem pensionesh i paqëndrueshëm në kohë dhe një sektor energjetik që kërkonte mbështetje në rritje nga buxheti i shtetit dhe të zgjatur në kohë. Detyrimet e pashlyera të pushtetit qendror ndaj sektorit privat qenë më shumë se 5 për qind e PBB-së.

“Kishte rëndësi kritike që Shqipëria të ndërmerrte hapa për t’u dhënë zgjidhje detyrimeve të prapambetura dhe risqeve fiskale. Këto qenë kthyer në një barrë të rëndë mbi të ardhmen e rritjes ekonomike dhe vinin në rrezik arritjet më të hershme në frontin e uljes së varfërisë,” – thotë Doerte Doemeland, ekonomiste e lartë pranë Bankës Botërore. “U angazhuam për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt konsolidimit fiskal të qëndrueshëm në kohë, e cila do të favorizonte rritjen ekonomike.”

Seria DPF për Financave Publike në Shqipëri mbështeste edhe reformat që synonin rritjen e të ardhurave buxhetore, përmirësimin e qëndrueshmërisë në kohë të sistemit të pensioneve dhe zvogëlimin e risqeve fiskale që rridhnin nga sektori energjetik.

Rezultatet pozitive kanë filluar të shihen tashmë. Rritja e efikasitetit në sektorin energjetik ka ndihmuar në uljen (përgjysmimin) e nevojës për dorëzani (garanci) shtetërore në këtë sektor. Gjithashtu, janë shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura të shtetit, nga e cila kanë përfituar më shumë se 3.000 shqiptarë. Dhe afro 5.000 shqiptarëve tani u është dhënë mundësia të përfitojnë pension social.

Shqipërisë i nevojitej një sasi e konsiderueshme parash për t’i stabilizuar financat e veta, çka krijonte një vështirësi për ekipin e Bankës Botërore: ta mobilizonte sasinë e nevojshme të burimeve në atë mënyrë që do nuk do të cenonte negativisht paketën e huadhënies së Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Kohët e fundit, Ballkani Perëndimor ka qenë marrësi më i madh i dorëzanive të mbështetura në politika, sepse ky produkt optimizon përdorimin e linjës së kreditimit nga Banka Botërore, duke i ndihmuar në të njëjtën kohë vendet të hyjnë në tregjet e kapitalit,” – thotë Ellen Goldstein, Drejtoreshë Rajonale për Evropën Juglindore. – “Jemi të kënaqur që ta vijojmë partneritetin tonë me rajonin, në përmbushje të nevojave në rritje të klientëve tanë.”

Punonjësit e Thesarit të Bankës Botërore janë në kontakt të vazhdueshëm me ministritë e financave lidhur me përdorimin e produkteve të Bankës Botërore në përmbushje të objektivave të tyre për zhvillim. Kjo marrëdhënie u jep mundësi të mësojnë sa më shumë për risqet dhe kufizimet e veçanta me të cilat përballen qeveritë dhe të identifikojnë produktin financiar më të përshtatshëm që i përmbush nevojat e tyre.

“Ndihemi mirë të luajmë një rol të rëndësishëm duke ndihmuar huamarrësit e sektorit publik të sigurojnë financim me kosto të përballueshme dhe konkurruese nga sektori privat, në kushtet kur gjetja e fondeve është e vështirë,”– thotë Arunma Oteh, Nënpresidente dhe Drejtoreshë Thesari pranë Bankës Botërore. – “Si sektori i Bankës Botërore që përballet drejtpërdrejt me tregun, Thesari mbështetet në vlerësimin e saj kreditor “AAA” dhe marrëdhëniet e konsoliduara me banka dhe investitorë privatë për të përmbushur nevojat e klientëve tanë.”

Thesari emeton 50 deri 60 miliard US$ obligacione në vit dhe administron afërsisht 138 miliard US$ për llogari të Grupit të Bankës Botërore, bankave qendrore, fondeve kombëtare të pensioneve, sigurimeve  dhe fondeve shtetërore të investimeve, si edhe të organizatave të tjera shumëpalëshe, përfundon raporti i Bankës Botërore, publikuar në 19 maj 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button