Ekonomia

Banka e Shqipërisë: Çfarë do ndodhë me bankierët, që kanë dhënë kredi bazuar mbi dy bilance

 Banka e Shqipërisë vlerëson se nisma e deklaruar nga qeveria për formalizimin duke eliminuar përdorimin e dy bilanceve nga ana e bizneseve, që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do t’i shërbejë vetëm pozitivisht bankave. Në një prononcim dhënë për Monitor, Banka e Shqipërisë nënvizon se kreditimi nuk mund të kufizohet nga nisma si kjo në kushtet kur ai është një nga proceset kyçe që kanë bankat.

“Kreditimi është një aspekt i rëndësishëm i sigurimit të likuiditeteve për kryerjen e investimeve prandaj dhe është në interes të dyanshëm si nga bankat ashtu edhe nga kredimarrësit. Bankat do të vijojnë kreditimin duke qenë ai një nga veprimtaritë kryesore të ndërmjetësit si dhe burimi më i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave. Kredimarrësit do të gjejnë më shumë lehtësi në komunikimin me bankat për të gjetur mënyrat e përshtatshme të financimit dhe marrjen përsipër të rreziqeve të kontrolluara. Banka e Shqipërisë e ka rregulluar më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave.

Ekzistenca e informalitetit ka dhënë ndikimin e saj në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, përtej shkaqeve të tjera. Ajo ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha të sistemit bankar dhe ka sjellë përpjekje të shtuara në saktësimin e të dhënave financiare dhe kuptimin sa më të mirë të situatës financiare të huamarrësve. Këto ndryshime do të lehtësojnë punën e bankave dhe do t’i orientojnë energjitë e tyre drejt një efikasiteti më të lartë të procesit të kredidhënies. Mbështetja e kreditimit në pasqyrat financiare zyrtare ndihmon jo vetëm në përzgjedhjen e huamarrësve më të përshtatshëm e të besueshëm, por edhe garantimin e një konkurrence më të drejtë. Puna e organeve qeveritare pritet t’i japë mbështetje këtij procesi për ndërtimin e një ekonomie më të shëndetshme e funksionale” nënvizon BSH.

Çfarë do ndodhë me kreditë e mëparshme të dhëna mbi bazën e bilanceve të dyfishta

Nisma e cilësuar si pozitive edhe në një konferencë të përbashkët të Guvernatorit me Ministrin për Financat dhe Ekonominë nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet ekzistuese të bizneseve me bankat. Pra 1 janari 2018 konsiderohet viti zero i qasjes së re. “Zbatimi i kërkesave të reja rregullative do të fillojë nga viti i ardhshëm. Përdorimi i bilanceve jo vetëm zyrtare ka një histori të gjatë që me krijimin e sistemit bankar. Përdorimi vetëm i bilanceve zyrtare në analizat e bankave do të fillojë zbatimin pa hedhur poshtë marrëdhënien e deritanishme të vendosur me huamarrësit. Me kalimin e kohës pritet të shihet një përafrim më i madh i bilanceve duke konsoliduar kështu edhe marrëdhënien e deritanishme të krijuar nga bankat”.

Banka e Shqipërisë vlerëson se zbatimi i plotë i kësaj mase do të ketë një shtrirje të gjatë kohore për shkak të natyrës së vazhdueshme e dinamike të marrëdhënies së bankave me kredimarrësit. Ky është një proces i vazhdueshëm trajnimi që ndihmon në rikonceptimin e marrëdhënieve të deritanishme me bankat dhe me organet qeveritare ku transparenca dhe mbetet një kriter thelbësor për krijimin e marrëdhënieve të besimit reciprok”, nënvizon Banka e Shqipërisë. Pa rezervuar ndonjë surprizë për mënyrën sesi mund të kontrollohet zbatimi korrekt i kërkesës së qeverisë për përdorimin e vetëm një bilanci nga të gjithë palët, duket se “arma” e vetme në dorë është kuadri i plotë ligjor dhe rregullator.

“Përcaktimet e vendosura në kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë kryen inspektime në vend dhe një ndër proceset e kryera përgjatë këtyre inspektimeve përfshin vlerësimin e cilësisë së procesit të analizës së rrezikut të kredisë dhe burimin e pasqyrave të përdorura. Kapaciteti huamarrës dhe i shlyerjes së kredisë vitin e ardhshëm do të vlerësohet vetëm në bazë të pasqyrave financiare zyrtare. Tashmë këto janë procese të ngritura dhe konsoliduara si nga bankat ashtu edhe nga Banka e Shqipërisë” thuhet në prononcimin e BSH.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button