Ekonomia

Bankat: “Firojnë” depozitat bankare, ikin 200 milionë euro në vit

aaaaBankat reagojnë duke rritur normat e interesit të depozitave në shtator e tetor, për të tërhequr sërish kursimtarët. Totali i depozitave në banka në fund të muajit tetor ishte 972 miliardë lekë, duke shënuar rënie me 0.1% apo me 1.1 miliardë lekë, në raport me shtatorin. Ky është muaji i dytë me rënie, pas rritjes tradicionale në gusht, si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve. Me bazë vjetore (tetor 2015/tetor 2014) depozitat në total janë zgjeruar me 1.4%.

Tkurrja e tetorit është ndikuar pothuajse tërësisht nga rënia e depozitave me afat në lekë të induvidëve, një tendencë kjo që po vazhdon prej muajsh. Sipas të dhënave nga BSH, rezulton se vetëm në tetor, kursimet në monedhën vendase të familjeve u tkurrën me 3.6 miliardë lekë, apo 1.1%. Në krahasim me tetorin e një viti më parë, ato kanë rënë me 7.5%, apo 27 miliardë lekë (rreth 200 milionë euro).

Rënia e ndjeshme e interesave të depozitave në lekë (për 12 mujoret, kthimi është afër 1%) ka qenë arsyeja kryesore që ka nxitur individët të kërkojnë alternativa të tjera më fitimprurëse për të shtuar kursimet e tyre, si letrat me vlerë të qeverisë, apo dhe depozitat më afat gjata.

Që prej shtatorit të vitit 2011, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare, duke e ulur normën bazë nga 5.25% në 1.75% aktualisht. Kjo është shoqëruar me një ulje të normave të interesit të depozitave 12 mujore, nga 6% në shtator 2011, në gati 1% në gusht 2015. Rënia e ndjeshme e depozitave në lekë gjatë këtij viti ka bërë që bankat të shtojnë ofertat për kursimtarët dhe në shtator e tetor, interesat e depozitave kanë shënuar rritje, duke u ngjitur në 1.27% në shtator dhe 1.34% në tetor, në tendencë të kundërt me politikën lehtësuese të institucionit monetar qendror.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button