Ekonomia

Bankat “kundër” Sejkos

Bankierët pohojnë se është shtimi i riskut të perceptuar të bankave për ekonominë ai që ka mbizotëruar, duke e bërë praktikisht të “pavlefshme” uljen e normës bazë nga ana e Bankës së Shqipërisë…

Përveçse është vështirë të marrësh kredi, ajo është edhe më e shtrenjtë. Pasi arriti në nivelin më të ulët rekord prej 6% në prill, norma e interesit të huasë është rritur vazhdimisht në muajt në vijim, duke arritur në gati 8% në gusht, niveli më i lartë në gati një vit.

Të dhënat bëhen të ditura në statistikat mujore të bankës së Shqipërisë. Rritja e interesave është tërësisht në linjë të kundërt me sinjalet e dhëna nga banka e Shqipërisë, që gjatë këtij viti ka ulur edhe dy herë normën bazë në prill dhe maj në dy mbledhje radhazi, gjë që rallë ka ndodhur vitet e fundit, duke e çuar aktualisht në 1.25%, nga 1.75% që ishte në fillim të këtij viti.

Rritje interesash kanë shënuar të gjitha, por më e larta ka qenë për huatë deri në 6 muaj (që merren përgjithësisht për nvoja likuiditei), që janë shtrenjtuar me 1.74 pikë përqindjeje për të arritur në 11%.

Edhe Huaja për ekonominë është futur në ngërç prej gati dy vitesh, duke i bërë pothuajse të pavlefshme përpjekjet e Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në nivele minimale historike.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh.

Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%.

I vetmi segment që po kreditohet është ai i individëve. Me bazë vjetore, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%.

Bankierët pohojnë se janë arsye të tjera përveç normës së intersave që po ndikojnë në ritmet e kredidhënies, si kërkesa e dobët nga bizneset, frenimi i ekonomisë, niveli i lartë i kredive të këqija, që ka stepur bankat sidomos në huadhëniet e mëdha, faktorë këta që shtojnë riskun e kreditimit që reflektohet në shtimin e marzhit të interesave të kredisë me atë të depozitave dhe bonove të thesarit.

Edhe një raport i para pak ditëve i Bankës së Shqipërisë nxirrte në pah riskun e shtuar të perceptuar të bankave. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur se rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme.

Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka.

Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëumujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3 6 mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015.

Bankierët pohojnë se është pikërisht shtimi i riskut ai që ka mbizotëruar, duke e bërë praktikisht të “pavlefshme” uljen e normës bazë nga ana e Bankës së Shqipërisë (përmes uljes së normës bazë institucioni monetar qendror u jep sinjal bankave të reduktojnë koston e kredisë, me synim rritjen e kreditimit).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button