Bankat qendrore janë të hutuara
Guvernatorja e Bankës Federale të SHBA-së Janet Yellen nuk guxon ende që t’i rrisë normat e interesit. Kur i jep dikujt para borxh, duhet të marrën përqindje interesi. Përse tjetër duhet të japësh para borxh dhe të rrezikosh që të mos i shohësh më kurrë paratë e tua?
Por bankat qendrore të disa vendeve të botës, e kanë lënë në masë të madhe pas dore këtë koncept – në SHBA, për shembull, për shumë vite nuk kushtonte asgjë që të merrje hua para. Në vende të tilla si Japonia dhe Zvicra madje të japin para në qoftë se merr kredi në bankë. Parimi pra kush kursen dënohet, kush merr kredi shpërblehet. Kjo është vetëm e dyshimtë, por mund të bëhet edhe e rrezikshme. Prej një kohë të gjatë Banka Federale po diskuton për të rritur përsëri normat e interesit. Por guvernatorja e Bankës Federale të SHBA-së Janet Yellen nuk guxon ende që t’i rrisë normat e interesit.
Kreditë e ulëta dhe rritja e konsumit
Që nga kriza financiare norma bazë e interesit është në një nivel historikisht të ulët. Kreditë janë të ulëta, sepse me këtë shpresohej të rritej konsumi. Rritja e konsumit nga ana tjetër duhet të forconte ekonominë.
Sot, tetë vjet pas krizës, normat e interesit janë ende vetëm pak mbi zero për qind. Janet Yellen nuk i ka prekur fare normat e interesit edhe këtë vit, sepse frika se kjo mund të trondisë ekonominë është mjaft e madhe. Megjithatë ekonomia dhe Wall Street-i janë të irrituar shpjegon brokeri Peter Tuchman, që punon prej më shumë se 30 vjetësh në Bursën e Nju Jorkut, për shkak se Yellen kishte deklaruar se këtë vit do të kishte katër rritje të normës së interesit.Të dhënat, mbi të cilat bazohet vendimi për rritjen e normës së interesit ndryshojnë muaj pas muaji, por sipas Peter Tuchman, Banka Federale duhet të vendosë sipas përvojës se deritanishme, sepse ajo tregon se përqindjet e ulëta të interesit nuk e kanë nxitur kurrë në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ekonominë.
Mirë për Wall Street-in
Megjithatë paratë e lira i kanë bërë mjaft mirë Wall Street-it: barometrat kryesorë të tregut të aksioneve kanë arritur nivele rekord. Për shkak se investitorët nuk kanë alternativa, ata i fusin paratë e tyre në aksione. Disa kanë frikë se pas ndonjë ngritjeje të normës çdo gjë mund të përfshihet në kaos. Meqë Banka Federale e SHBA-s vazhdon të ngurrojë për të ndërmarrë hapa në lidhje me përqindjet e ulëta të interesit, ajo është kthyer vetë në një burim pasigurie për tregjet, sepse në vend që t’i qetësojë ato, shkakton spekulime të mëtejshme.