Bota

Bannon dorëzohet tek autoritetet për t’u përballur me akuzat për shpërfillje të Kongresit

Steve Bannon, një aleat i ish-presidentit Donald Trump, u dorëzua tek autoritetet federale të hënën për t’u përballur me akuzat për shpërfillje të një fletëthirrjeje të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit.

Zoti Bannon u mor në paraburgim të hënën në mëngjes dhe u paraqit përpara gjykatës. Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, zoti Bannon nuk pranoi fajësinë gjatë seancës. Gjykatësja Robin Meriweather e liroi atë pa garanci në fonde, por i vendosi detyrimin të paraqitet çdo javë tek zyrtarët e gjykatës dhe e urdhëroi të dorëzojë pasaportën. Ai pritet të rikthehet në seancë gjyqësore ditën e enjte.

Ndaj 67-vjeçarit Bannon të premten u ngritën dy akuza penale, njëra për shpërfilljen e kërkesës për të dëshmuar në Kongres dhe tjetra për refuzimin e dhënies së dokumenteve rreth ngjarjes së 6 janarit, të kërkuara nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton këtë çështje.

Aktakuza vjen në një kohë kur një dëshmitar tjetër, ish-shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, shpërfilli fletëthirrjen e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për ngjarjet e 6 janarit, dhe kur ish-presidenti Trump ka intensifikuar betejat e tij ligjore për të mos i dorëzuar dokumente dhe dëshmi Kongresit në lidhje me protestën e dhunshme.

Nëse Dhoma Përfaqësuesve voton për ta mbajtur përgjegjës zotin Meadows për shpërfilljen e fletëthirrjes së Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për ngjarjet e 6 janarit, çështja do t’i dërgohej Departamentit të Drejtësisë dhe do të mund të rezultonte në ngritje të akuzave penale ndaj ish-shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarë të administratave demokrate dhe republikane në të kaluarën janë qortuar nga Kongresi për shpërfillje të fletëthirrjeve, por paditë penale për këtë çështje janë jashtëzakonisht të rralla.

Aktakuza kundër zotit Bannon vjen pasi një mori zyrtarësh të administratës Trump, duke përfshirë zotin Bannon, sfiduan kërkesat për dokumente dhe shpërfillën fletëthirrjet nga Kongresi gjatë pesë viteve të fundit pa pasoja, përfshirë gjatë një hetimi për ngritjen e akuzave për shkarkim të ish-presidentit Trump. Administrata e Presidentit Barack Obama refuzoi gjithashtu të ngrinte akuza penale ndaj dy zyrtarëve të saj që shpërfillën fletëthirrjet e Kongresit.

Aktakuza thotë se zoti Bannon nuk ka komunikuar në asnjë mënyrë me Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për 6 janarin që nga koha kur mori fletëthirrjen më 24 shtator deri më 7 tetor, kur avokati i tij dërgoi një letër, shtatë orë pas afatit për dorëzimin e dokumenteve të kërkuara nga Kongresi.

Zoti Bannon, i cili ka punuar në Shtëpinë e Bardhë në fillim të administratës së Presidentit Trump dhe aktualisht është drejtues i emisionit që transmetohet në internet, me prirje për të mbështetur teoritë konspirative, “Dhoma e Luftës”, është një qytetar privat që “refuzoi të paraqitej për të dhënë dëshmi, siç kërkohet nga një fletëthirrje (e Kongresit)”, thuhet në aktakuzë.

Kur Bannon refuzoi të paraqitej për dëshminë e tij në tetor, avokati i tij tha se ai ishte këshilluar nga një avokat i ish-presidentit Trump për të mos dëshmuar pasi ai është i mbrojtur nga ligji për privilegjin ekzekutiv.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button