Banorët u ankuan për zhurmat në lokalin te “Komuna e Parisit”, policia procedon 2 administratorët
Policia ka ushtruar kontrolle në një lokal në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, pas ankesave të disa banorëve për muzikë me volum të lartë dhe prishje të qetësisë publike.
Pas verifikimeve në subjektin e sinjalizuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë konstatuar shkeljet dhe kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy administratorët, K. H., 39 vjeç, dhe J. B., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, uniformat blu kanë sekuestruar bokse, impiantin muzikor dhe aksesorët përkatës, të cilët përdoreshin për gjenerimin e muzikës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj dy administratorëve rëndon vepra penale “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Tiranës bën me dije se kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin, duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërive apo shqetësimeve që cenojnë qetësinë publike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.