Bardhi ironizon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Drejtohej nga një kukull
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për zhvillimet e fundit në Shërbimin Informativ të Shtetit dhe çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke kërkuar nga kryeministri Edi Rama të japë shpjegime për mënyrën se si ajo u përzgjodh në krye të institucionit të sigurisë.
“Ndërkohë që çdo shqiptar i ndershëm dhe çdo mik ndërkombëtar i Shqipërisë ndihet i tronditur si llumi dhe e keqja ka mbuluar çdo segment të qeverisjes së vendit, Kryeministri Edi Rama zgjodhi përsëri të njëjtën strategji. Edi Rama iu tha shqiptarëve se asgjë jonormale nuk ka ndodhur: se AKSHI apo SHISH-I; Gysi, Mirlinda, apo Vlora; janë një kapitull normal i Shqipërisë së tij imagjinare europiane dhe se fajin për gjithçka që po ndodh në vend e ka drejtësia që heton veprimtarinë e qeverisë, opozita që e denoncon atë dhe mediat që e pasqyrojnë”, tha Bardhi.
Me tone ironie Gazment Bardhi komentoi edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pas arrestit ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Bardhi tha se opozita nuk merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Gysit.
Ndërsa presidentit Bajram Begaj, duke e quajtur një kukull manekin, i kërkoi të japë llogari se kush e urdhëroi të dekretojë Vlora Hysenin në krye të SHISH.
“Është mbledhur komisioni i sigurisë së Ergysit. Aty ishte shefi i Gysit, Rama, katër vartës të Gysit dhe katër vartës të shefit të Gysit. Drejtimi i mbledhjes kishte një kukull manekin, Presidentin, që para se të bëjë show, duhet të dalë dhe të shpjegojë pse e dekretoi Hysenin në krye të SHISH.
Këtë përgjegjësi ka Begaj, të shpjegojë: Kush e urdhëroi Begajn të emëronte Hysenin në krye të SHISH? Pse bllokoi për 47 ditë betimin e gjyqtarit kushtetues për llogari të Ergys Agasit? Këtë duhet të shpjegojë.
Sa për Këshillin e Sigurisë së Gysit, opozita as nuk ftohet dhe as nuk merr pjesë. Ne jemi të shqetësuar për sigurinë kombëtare të Republikës, jo për sigurinë e koordinatorit të krimit, Ergys Agasi”, u shpreh më tej Bardhi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.