Basha mbledh grupin e PD: I shpallim luftë pr/ligjit për arsimin e lartë
Kryetari i PD, Lulzim Basha, pak orë pas tryezës për arsimin, ka drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ku ka shprehur sërish shqetësimin për projektligjin e qeverisë për arsimin e lartë.
“Projektligji për arsimin e lartë do të rrisë tarifat e studimit. Rama po u fshin të rinjve të drejtën e arsimimit, edhe pse studentët, pedagogët dhe të gjithë janë shprehur kundër këtij projektligji. Rama po shkon kundër të gjithëve vetëm për të miratuar një ligj klientelist dhe korruptiv”, ka deklaruar Basha.
Ai është shprehur se, kryeministri ka vendosur ta kalojë ligjin në një moment kur auditorët janë bosh, sepse i druhet reagimit të studentëve dhe pedagogëve.
“Kalimi i kostos tek vetë studenti dhe barazimi i universiteteve publike me ato private është baraz me një shkelje të rëndë të së drejtës të përcaktuar nga Kushtetuta”, ka vijuar Basha.
Shkelja e kësaj të drejte themelore, sipas kreut të PD, bëhet edhe më e rëndë, po të kemi parasysh se fondet jepen në kushte të barabarta ekonomike, pa pasur parasysh kushtin social.
“Mënyra e re e financimit të universiteteve publike, rritja e tarifave dhe ndarja e buxhetit edhe për universitetet private do të vënë drejtpërdrejtë në rrezik ekzistencën e universiteteve publike, duke çuar në mbylljen e filialeve të tyre në rrethe. Do të jetë kryeministri ai që do të fusë dorën në arkën e shtetit dhe do të dorovisë arsimin sipas klientelave”, ka thënë Basha.
Ai ka paralajmëruar se, nesër opozita do ta kundërshtojë këtë ligj, në seancën paralamentare të thirrur për këtë qëllim.
“Ne do t’i shpallim luftë këtij pr/ligji. Garantoj qytetarët shqiptarë se opozita do të çojë në vend drejtësinë, do bëjë gjithçka që të zhbëjë këtë që ka nisur Edi Rama dhe do të bëjë projektin e saj, me studentët dhe pedagogët, sapo qytetarët të na besojnë votën”, ka shtuar Basha.