Basha mbyll ristrukturimin e PD-së, ashtu siç e nisi, duke shkelur statutin
Votimet e kryetarit dhe dy nënkryetarëve të PD-së, kundër Kushtetutës së demokratëve
Nga Herion Mesi
Procesi i ristrukturimit të strukturave të Partisë Demokratike mbyllet ashtu siç dhe nisi 16 muaj më parë, duke shkelur statutin e kësaj partie. Në rast se për garën e 22 korrikut të vitit të kaluar statuti u shkel për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi në vend që pasardhësi i Sali Berishës në krye të PD-së duhej të zgjidhej nga Kuvendi Kombëtar, Lulzim Basha u zgjodh kryetar i PD-së në garën përballë të ndjerit Sokol Olldashi përmes një votimi nga e gjithë anëtarësia e PD-së sipas parimit ‘një anëtar një votë’. Por kështu, precedenti i radhës u shënua edhe në zgjedhjen e dy nënkryetarëve të partisë, ku sërish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkeli statutin e partisë që drejton duke hedhur në votim të hapur dhe jo të fshehtë kandidaturën e Edi Palokës dhe Edmond Spahos, pa kandidatë rivalë për votëbesim.
Shkelja e statutit
Në fillim të mbledhjes së djeshme të Këshillit të PD-së, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, shpjegoi mënyrën se si do të procedohet me zgjedhjen e strukturave drejtuese të partisë, me parimin ‘një anëtar një votë’. Basha propozoi që votimi për nënkryetarët e rinj të PD-së të ishte i hapur, dhe anëtarët dhanë aprovimin e tyre për Edi Palokën dhe Edmond Spahon në postin e nënkryetarëve. “Me bindjen se do ta përmbushni me sukses, ju uroj punime të mbara, ja si do të procedojmë: Procedojmë me votëbesimin e kryesisë së grupit parlamentar, kryetarit të grupit zotit Paloka dhe nënkryetarit të Kuvendit, Edmond Spaho, për postet e nënkryetarëve të partisë. Procedojmë më tej me zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm mes 3 kandidaturave, Selami, Ristani dhe Alibeaj. Paralelisht në dy kuti të ndryshme do të votohet edhe për krerët e departamenteve dhe sekretariateve me dy kandidatura për secilën prej tyre”, deklaroi Basha. Por Statuti i Partisë Demokratike ka parashikime të qarta për zgjedhjen e kupolës drejtuese. Më konkretisht, Këshilli Kombëtar është organi që zgjedh anëtarët e Kryesisë dhe Sekretariatin, përfshi këtu edhe nënkryetarët e partisë me votim të fshehtë, sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. “Kryetari, nënkryetari dhe sekretari zgjidhen çdo katër vjet, me votim të fshehtë, nga mbledhja e të gjithë anëtarëve të seksionit, sipas parimit ‘një anëtar një votë’. Numri i kandidaturave që i nënshtrohen votimit duhet të jetë të paktën dy për çdo pozicion. Kryetari nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë radhazi”, thuhet në pikën 5 të nenit 18 të statutit të PD-së. Sipas Bashës, sot PD numëron 150 mijë anëtarë të rregullt ndërsa riorganizimin e strukturave drejtuese e vlerësoi, jetike. Kryetari i PD uroi që në garën për postet drejtuese, të fitojë më i miri. “Në mbledhjen e sotme përmbyllet gara e madhe. Gara është mes më të mirëve, numri i madh dhe sidomos cilësia e tyre e lartë, shumë e lartë. Kur ka aplikantë kaq cilësorë është e vështirë të zgjedhësh. Ata që nuk do zgjidhen kanë vlerësimin tim të thellë. Ata janë pa përjashtim një vlerë e madhe e burimeve të PD, pjesë e ekipit drejtues që nuk mund të jetë e kufizuar në një numër të të zgjedhurve”, tha Basha.
Këshilli Kombëtar
Në organikën e tij, Këshilli Kombëtar përbëhet nga: Kryetari dhe nënkryetarët e PDSH; Sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë të partisë; Ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e PDSH, që janë anëtarë të PD-së në momentin e thirrjes së Këshillit Kombëtar; deputetët; kryetari i Bordit Financiar të partisë; kryetarët e degëve të PD-së; kryetarët e organizatave partnere; drejtuesit e departamenteve të PDSH; si dhe kryetarët e bashkive qendër qarku dhe të bashkive/komuna mbi 40 mijë banorë. Sipas statutit të PD-së, Këshilli Kombëtar zgjedh ose shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë sekretarin e Përgjithshëm; nënkryetarët e partisë; sekretarët funksionalë; kryetarin e bordit financiar të partisë; komisionin qendror të apelimit. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar vendos për rregulloren e brendshme, me propozim të Kryesisë së partisë, ndërmerr gjithë dispozitivin e nevojshëm për zbatimin e statutit dhe për mbarëvajtjen e partisë. Vendimet e këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash.