Basha: Më 21 qershor, t’i hapim rrugë punësimit dhe zhvillimit
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me banorë të Dibrës dhe Bulqizës. Pasi është njohur me shqetësimet e qytetarëve, Basha tha se dyshja Rama- Meta nuk mbajti asnjë premtim dhe sot kërkojnë t’i fshihen llogaridhënies duke sulmuar opozitën dhe kandidatët e saj.
“Edi Rama nuk ka ofertë për ju. Unë i them sot, kthehu në Dibër, përdor të njëjtin pasion me të cilin sulmon Lulzim Bashën, për të sulmuar rrogat e ulëta, për të sulmuar varfërinë, papunësinë! Me të njëjtin inat që sulmon kryetarin e opozitës, që të ka mundur një herë dhe prapë do të të mundë, vërsulju listave nëpër dyqane që janë dyfishuar!”, tha Basha.
Partia Demokratike, tha Basha e ka ofertën për të nxjerrë vendin nga kriza dhe për të kthyer shpresën. Në 21 qershor, Basha ftoi qytetarët të miratojnë platformën e taksave të ulëta, uljen e çmimit të energjisë etj.
“Vota juaj në 21 qershor është vula e një referendumi popullor, për të ulur me çdo kusht çmimin e energjisë dhe për faljen e kamatë-vonesave, për të ulur me çdo kusht taksat, për të rritur pensionet dhe pagat, për të rikthyer në listën e ndihmës ekonomike të gjithë ata që janë larguar me të padrejtë dhe këdo tjetër që ka nevojë për të, për subvencione për bujqësinë dhe blegtorët.”
Kryetari i Partisë Demokratike e ka konsideruar 21 qershorin si ditën e llogaridhënies së qeverisë dhe refuzimit me votë të keqqeverisjes dhe ndaljes së të keqes.
“Në 21 qershor, vota juaj për Partinë Demokratike është refuzim i politikës që e ka zhytur Shqipërinë në krizë të thellë ekonomike, që i ka zhytur shqiptarët në papunësi, që i ka rritur çmimet e ka bërë të pamundur mbijetesën për mijëra familje anembanë vendit”, tha Basha.