Basha: Ndarja territoriale, nuk ka zgjedhje me këtë hartë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, në një takim ku u diskutua mbi zhvillimet shqetësuese në vend.
Basha tha se “çdo ditë e më shumë bëhet i nevojshëm dekriminalizimi dhe ngjarjet e fundit në Tiranë nxorën zbuluar lidhjet qeveritare me një bande të rrezikshme kriminale. Ai informoi Fleckenstein për paligjshmërinë me të cilën qeveria po cënon të drejtën e pronësisë së qytetarëve, duke shembur objektet në zotërim të ligjshëm, në kundërshtim me procedurën ligjore, duke u mohuar pronarëve ankimimin gjyqësor”.
Po ashtu, Basha e njohu eurodeputetin me arbitraritetin që po manifeston qeveria me aksionet policeske ndaj qytetarëve të pamundur, cka ka sjellë shpesh pasoja dramatike në humbje jete dhe në ndëshkime të papranueshme me errësirë edhe në ditët e ndërrimit të viteve për mijëra qytetarë të vendit.
“Paligjshmëria që po nxitet nga qeveria ka sjellë një shkelje masive të të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet e administrates”, tha ai. Duke denoncuar ndarjen territoriale kundër interesit kombëtar, ai tha se “nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë”.