Basha në Lushnje: Kriza ekonomike po ndihet në çdo familje
Lulzim Basha e vazhdoi në Lushnje turin me te cilin po i paraprin protestës së 27 janarit. Kryetari i Partisë Demokratike tregoi disa statistika se si kriza ekonomike, siç tha ai, po ndihet në çdo familje. Po ashtu etiketoi Lushnjën si qytetin ku bandat përcaktojnë kush punon apo dhe kush merr tendera.
Mazhoranca është ajo që akuzon vazhdimisht opozitën si bllokuese të reformës në drejtësi, por shigjetat e sulmit Lulzim Basha i ka kthyer mbrapsht drejt kryeministrit Rama. Sipas tij, Rama ka pakt me krimin dhe ai po shkatërron reformën në drejtësi.
“Nuk ka për të patur reformë në drejtësi me Edi Ramën Kryeministër. Ndaj protesta e 27 janarit është edhe një thirrje për reformën në drejtësi, për drejtësinë e pakapur. Është një thirrje dhe një bashkim që Saimir Tahiri të shkojë në burg, siç duhet të shkojë në burg çdo ministër, çdo pushtetar vendor apo qendror i faktuar në lidhje me krimin e organizuar dhe i korruptuar deri në palcë me paratë dhe asetet e shqiptarëve”, u shpreh kreu i PD.
Pas protestës së 27 janarit Basha u shpreh se aksioni për qeveri antimafia vazhdon me të gjitha format e kryengritjes popullore.