Politika

Basha në Shkodër, lançon projektin “Drejt Lirisë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lançoi sot projektin “Drejt Lirisë”, në 25 vjetorin e demonstratës së parë antikomuniste të 1990, në Shkodër.

Basha125“Kaluan 25 vjet, kaloi një çerek shekulli nga dita kur këtu në Shkodër, në ketë qytet me emër të  madh në histori, një grup njerëzish të thjeshtë, kryesisht punëtorë, të mbështetur pastaj nga qindra mijëra  bashkëqytetarë shkodranë ideuan dhe organizuan në  mes të vetmisë dhe terrorit komunist të kohës demonstratën e famshme të 14 Janarit 1990,  përballjen e parë popullore me diktaturën, shpërthimin e parë të lirisë në vendin më të shtypur, më të mbyllur dhe me të varfër të Europës”, tha Basha.

“Gjithnjë jemi mahnitur, akoma mahnitemi e ndihemi krenarë me vendimin e guximshëm të liberatorëve shkodranë, për  të  rrëzuar bustin e vëllait të madh të Enver Hoxhës, bustin e Stalinit, të cilin nxënësit dhe lakejtë e tij të regjimit të Tiranës e kishin ngritur këtu në Shkodër jo vetëm si simbol të  komunizmit me të egër, por edhe si një fyerje për qytetin e vjetër të  zakoneve dhe traditave fisnike”, vijoi kreu i PD.

Gjithnjë, theksoi Basha, “jemi ndjerë krenarë me kurajon qytetare të shkodranëve që dolën  nga shtëpitë dhe u mblodhën në lulishten kryesore  të qytetit paraditen e 14 janarit 1990 për të bërë në kushte pakrahasueshmërisht të vështira atë që kishin bërë gjatë vitit 1989 qytetarët polakë, çekë, hungarezë, gjermanolindorë, bullgarë apo rumunë, për  t’i dhënë betejë regjimit komunist, për t’i dhënë shenjën e njohjes Lirisë, për të paralajmëruar e filluar ndryshimin  e madh”.

Sot, tha Basha, “Kam nderin e veçantë, që në emër të Partisë Demokratike, duke u përkulur me nderimin më të madh para veprës të heronjve që janë midis nesh dhe atyre që si kemi më midis nesh, të konfirmoj se në bashkëpunim me Shoqatën “Shkëndia e Lirisë”, i kemi dorëzuar Presidentit të republikës propozimin për dekorimin e heronjve përfaqësues të demonstratës së 14 Janarit 1990”.

“14 Janari si vepër e kurajos qytetare është një pasuri e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, një pasuri e madhe e demokracisë sonë, një pasuri e bashkimit, e etjes dhe sakrificave të qytetarëve për liri dhe dinjitet, është një nga monumentet më  madhështore të përballjes së forcave antagoniste të kohës: qytetarët, populli dhe rinia me aspirata demokratike në një anë, regjimi i hurit dhe litarit në anën tjetër. Në këtë përballje epike, që vijoi si në një stafetë gjatë gjithë vitit 1990, forcat demokratike triumfuan në dhjetor mbi dikaturën më të egër të  kontinentit, duke hapur pas kësaj epokën e re të lirisë”, tha Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button