Basha: Qeveri teknike dhe zgjedhje, koha nuk pret
Përpara mbështetësve që iu përgjigjën thirrjes për protestë, Lulzim Basha ripërsëriti kërkesën për largimin e qeverisë, krijimin e një kabineti teknik dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Sot në ditën tonë më të bekuar, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të qytetarëve të lirë për të kërkuar, për të diktuar me fuqinë e bashkimit të zemrave dhe mendjeve tona, largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeveri teknike që do të bëjë gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, nisi fjalën e tij Lulzim Basha.
Për kreun e demokratëve koha nuk pret dhe maxhoranca e dogji mandatin e vet 4-vjeçar.
“Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në 2 vjet mandatin e vet 4-vjeçar ndaj duhet të largohet”, tha Basha.
Dy janë rrugët që kanë shqiptarët, sipas kreut të opozitës.
“Ose të rrëzojmë qeverinë e fatkeqësisë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë. Ose të reagojmë sot, ose nesër do të jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka! Nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë. Pritja e mbaroi kohën e saj”, u shpreh kreu i demokratëve.
Shefi i opozitës u ndal edhe tek akuzat që Partia Demokratike lëshon në drejtim të kabinetit qeveritar për korrupsion me tenderat dhe atyre ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me trafikun e drogës.
“Janë një bandë që nuk kanë ndërmend të ndalen po nuk i ndalëm ne sot”, thotë Basha.
Këtë protestë, Lulzim Basha e sheh si nisjen e asaj që e quajti stinë protestash që do të ndalet vetëm me arritjet e objektivit; largimin e qeverisë.
“Ky është fillimi i protestave popullore që nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë. Largimi është zgjidhja! Mosbindja civile ka nisur”, u shpreh ai.