Basha: Rama e ka fajin për moshapjen e negociatave
Për liderin e opozitës, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama është përgjegjës për moshapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Basha e cilësoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, raport që vlerëson me seriozitet shqetësimet e mëdha dhe problemet e thella që po kalon vendi.
Sipas Bashës Rama po heq përgjegjësinë nga vetja, ndërkohë që ky raport duhet t’i shërbejë si plan pune çdo qeverie.
“Përgjegjësia është e tij që pamundësoi zgjedhje të lira më 21 qershor, përgjegjësia është e njeriut që ishte sot e kësaj dite zvarrit konsensusin për dekriminalizimin duke u bërë mburojë e njerëzve që vetë promovoi në parlament dhe në pushteti vendor”, tha Rama.
Kryedemokrati Basha deklaroi se qeveria nuk po i shkakton vendit vetëm dëm politik, por edhe ekonomik. Këtë akuzë ai e lidhi me ato të deklaruar më herë për disa nga ministrat e kabinetit qeveritar.
“Nuk ka asgjë të përbashkët ëndrra jonë europiane me këtë qeveri. Mosreflektimi i Edi Ramës nuk është më risi për shqiptarët. Shqipëria është i vetmi vend me statusin kandidat pa negociata të hapura”, shtoi Basha.
Më tej Basha bëri thirrje për protesta, por duke mos caktuar asnjë datë e asnjë vend.
“Mosbindje civile dhe të marrim në dorë fatet e vendit si europian, sepse kjo qeveri është në muzgun e saj dhe përpara e pret një natë e errët e zullumit. Koha ka ardhur që të reagojmë të gjithë së bashku”, mbylli fjalën e tij Basha.