Basha: Rama-Meta godasin qytetarët e pamundur dhe mbrojnë mafiozët e kriminelët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie në Vaun e Dejës, z. Zef Hila. Në fjalën e tij, Basha ftoi qytetarët që të votojnë për alternativën e djathtë, pasi vetëm në këtë mënyrë, do të largohet, ajo që sipas Bashës, është e keqja që ka mbërthyer vendin e ngjarjes.
“Më 21 qershor do të votojmë të gjithë bashkë, për t’i treguar Ilir Metës dhe Edi Ramës se banorët e kësaj zone nuk e ulin kokën para poshtërimit, nuk mund ta pranojnë politikën e lakut në fyt që i lë pa bukë në tryezat e tyre, ndërkohë që mbush kontot dhe valixhet e qeveritarëve të korruptuar Ilir Meta dhe Edi Rama. I godasin qytetarët e pafajshëm e të pamundur, po i mbrojnë mafiozët e kriminelët Ilir Meta dhe Edi Rama që ulen e hanë në sofrën e tyre”, theksoi kryetari i PD, Lulzim Basha.
Kryetari i PD ka shpalosur ofertën e re e cila do të çojë vendin drejt ringritjes. Ulja e taksave e çmimit te naftës dhe karburanteve, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës është mënyrë për të dalë nga kjo situatë ekonomike, deklaroi z. Basha.
Zef Hila, kandidat për kryetar bashkie i Vaut të Dejës theksoi se projekti i tij do të mbetet zhvillimi ekonomik dhe punësimi.
“Bashkia e Vaut të Dejës do të jetë një model, do të marrë një fytyrë të re, për një zhvillim, punësim, dinjitet”, tha kandidati për kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila.