Basha: Rama-Meta nuk ofrojnë zgjidhje, sepse janë vet problemi
Lulzim Basha ka nisur nga Lushnja një tur të ri kombëtar, që synon të sjellë në vëmendje pakënaqësite e qytetarëve për qeverisjen dhe zgjidhjet që Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve.
Sipas kreut të opozitës, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes, sepse ata janë vetë problemi.
“700 milionë euro, një pjesë Edi Rama, një pjesë Ilir Meta. Sapo erdhi e mbylli pazarin, sepse nuk jetojnë dot pa Pazar. Moçalorët janë në Tiranë, me pasuri përrallore. Mendojnë se gjithçka blihet dhe shitet. Madje u gënjen mendja. Dua t’u them se PD nuk është në shitje. Kurrë pazar me Edi Ramën dhe Ilir Metën”, deklaroi Basha.
Gjatë bashkëbisedimit të kreut të opozitës me lushnjarët në sheshin kryesor të qytetit, dy ishin problemet që u trajtuan: arroganca dhe korrupsioni.
“Jemi gati për aksionin e patsrimit të Tiranës nga plehrat e 1 prillit. Për një qeveri që punon për ju. Për të mos shkëmbyer të keqen me të keqen më të vogël, por me më të mirën. Do ta bëjmë duke dëgjuar qytetarët. Nuk do t’ju dëgjojë qeveria, por ne jemi shumica, ju jeni shumica”, u tha Basha qytetarëve.
Lulzim Basha paralajmëroi se ky tur me qytetarët do të jetë i pandalshëm deri në arritjen e qëllimit të vet. “Do ta marrim revoltën tuaj deri në rrëzimin e kësaj qeverie harbute. Do luftojmë për një demokraci pjesëmarrëse dhe jo një demokraci fasadë”, tha Basha.