Politika

Basha: Rama rrëzoi hetimin sepse i druhet së vërtetës

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat të mbajtur paraditen e kësaj të shtune, ka akuzuar kryeministrin Rama se qëllimisht pengoi votimin e kërkesës së opozitës për hetimin ndërkombëtar të aferës së CEZ.

“Dje, Edi Rama e shpalli veten të pahetueshëm lidhur me çështjen e CEZ, pasi me shumicë votash rrëzoi kërkesën e opozitës. Dje u vends standardi më i zi në Parlament, ku të gjithë mund të hetohen përveç Edi Ramës”, ka deklaruar Basha.

Basha ka vlerësuar se, vjedhja përmes aferës së CEZ është më e rënda për shqiptarët, pasi bëhet fjalë për 600 milionë euro të zhdukur dhe rrëzimi i kërkesës së demokratëve ka ardhur sipas tij nga frika që kryeministri ka nga e vërteta që mund të dalë në dritë.

“Qeveria ndaloi ligjin për ekspertizën e huaj sepse Edi Rama i trembet së vërtetës. Me aktin e djeshëm Edi Rama provoi se është në krye të kësaj afere, së bashku me hipokrizinë e Ilir Metës. Këta që mbyllën me votë hetimin ndaj tyre, votuan burgun për fshatarin dhe për fermerin”, ka vijuar Basha.

Ai ka nënvizuar se, e gjithë kjo bëhet për një grusht njerëzish, që sipas tij i janë vërsulur investimeve, shpenzimeve publike, tenderave dhe konçesioneve.

Duke premtuar shfuqizimin e ligjit që burgos fshatarët dhe fermerët, si dhe të ligjit që sipas PD shpronëson për herë të dytë ppronarët, Basha ka bërë apel për një pjesëmarrje sa më masive në protestën e 8 dhjetorit.

“Dje ndaluat të vërtetën, por nuk do të ndaloni dot marshimin e qytetarëve. Thërras shqiptarët, pa dallime politike, që më 8 dhjetor të protestojmë kundër kësaj klike të korruptuar. Ftoj edhe studentët, të cilëve u them se më 8 dhjetor do të protestojmë edhe kundër ligjit për arsimin e lartë”, ka thënë Basha.

Në fund të deklaratës, kreu i demokratëve ka kritikuar ashpër edhe buxhetin 2016 të miratuar në Parlament, të cilin e ka cilësuar si “buxheti i torturës fizike dhe psikologjike”. “Ndaj 8 dhjetori është dita e të gjithë shqiptarëve, të goditur nga dyfytyrësia e Ramës dhe Metës”, ka shtuar Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button