Politika

Basha: Reforma në drejtësi, alibi e Ramës për bisedimet me BE-në

Përkundër asaj që deklaroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama, reforma në drejtësi nuk është barriera e vetme që ndan Shqipërinë dhe Bashkimin Europian nga hapja e bisedimeve të anëtarësimit, por shumë më e gjerë se kaq.

Ky ishte mesazhi i përçuar nga Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, këtë të mërkurë.

Basha radhiti dekriminalizimin, korrupsionin, krimin dhe infiltrimin e tij në administratë si disa prej shqetësimeve të paraqitura fort në raportin e progresit të KE-së.

“Për të mbyllur përgjegjësitë e rënda për krimin dhe korrupsionnn në shkatërrimin e zgjedhjeve, Edi Rama kapet me alibinë e reformës në drejtësi. Reforma është e domosdoshme dhe urgjente. Kemi investuar vullnetin dhe kapacitetet tona më propozime dhe amendamente konkrete, por spektri i shqetësimeve dhe kërkesave të raportit për Shqipërinë është shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë”, deklaroi Lulzim Basha.

Basha ripërsëriti qëndrimin e shprehur një ditë më parë pas marrjes së raportit të progresit nga ambasadorja e BE-së, Vlahutin.

“Raporti e thotë qartë se korrupsioni është përhapur gjerësisht, se infiltrimi i krimit në sektorin publik mbetet problem madhor. Nuk ka negociata pa miratuar dhe zbatuar ligjin e dekriminalizimit, nuk ka pëparim në integrimin e vendit me batërdinë e korrupsionit dhe krimit”, tha Basha.

Më tej, Basha akuzoi maxhorancën për korrupsion në të gjithë sektorët, ndërsa deklaroi më hapur se herët e tjera, se Partia Demokratike mbështet protestën e studentëve kundër ligjit të arsimit të lartë.

“Ne e mbështesim pa asnjë kufizim protestën e studentëve, e mbështesim atë dhe ftojmë qytetarët që t’i bashkohen kësaj. Jemi në krah të tyre dhe kërkojmë anulimin e këtij ligji”, tha Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button