Politika

Basha: Votimi në Parlament, hapi i parë i republikës së re

Duke komentuar votimin e një dite më parë në Parlament, kryetari i PD, Lulzim Basha ka vlerësuar se, mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe asaj që ai e quan Republika e Re.
“Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cënon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve. Dënime të rënda i presin, tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave, policët dhe ushtarakët të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë”, ka deklaruar Basha.
Me forcën dhe vendosmërinë që tregoi në 90 ditët e “qëndresës historike”, vijon kreu i opozitës, PD do të bëhet barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë, që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre.
“Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë. Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e Re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë”, ka shtuar Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button