Politika

Bashkia Tiranë, Gjergj Bojaxhi hyn në garë “i pavarur”

Nga: Valentina Madani*

 gjergj-bojaxhi_Gjergj Bojaxhi erdhi në politikë përmes KOP-it të PD-së, por tashmë ka shkëputur lidhjet me të. Ka vendosur të qëndrojë në politikë, por duke rifilluar me një garë ndryshe, atë të kandidimit si i pavarur për postin e kreut të Bashkisë së Tiranë. Bojaxhi ka vendosur të mos konkurrojë nën siglën e asnjë partie, pavarësisht se miqtë e tij janë të shumtë në politikë, konkretisht brenda së djathtës ku militoi për disa vite me radhë.

Mësohet se prej disa ditësh Bojaxhi ka ngritur shtabin e tij elektoral, madje me disa prej ish-aktivistëve të PD-së. Burime pranë stafit të tij pohojnë për “Gazeta Shqiptare” se ai pas një jave do të deklarojë zyrtarisht kandidimin si i pavarur për kreun e ri të bashkisë së kryeqytetit. Ai pritet të marrë vota nga e djathta, por edhe nga të pakënaqurit e pushtetit të majtë. Admirues i natyrës dhe i gjithçkaje që ajo prodhon për njeriun, Gjergj Bojaxhi prej shumë vitesh është pjesë e zhvillimeve politike në Shqipëri.

Por kohët e fundit qëndroi paksa larg. Ish-drejtori i KESH, ishzëvendësministër i Ekonomisë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Tiranë, së shpejti pritet ta shohim ndryshe, kandidat i pavarur në garën për qytetarin e parë të Tiranës. Bojaxhi mban gradën master për ekonominë ndërkombëtare dhe ka punuar në disa nga institucionet më të rëndësishme në Uashington, si konsulent në Bankën Botërore. Ai u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar me PD në Komitetin e Politikave Drejtuese (ish-KOP). Por ka qenë kritik me mënyrën e funksionimit të kësaj partie dhe rregullave të demokracisë së brendshme në të, duke u shkëputur për disa vite dhe duke mos pranuar angazhime politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button