Politika

Bashkimi Europian nuk po ju sjell Europën, ai e gjen Europën tek ju

“Gjashtë shekuj më parë, Gjergj Kastrioti tha shprehjen e tij të famshme: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta midis jush”. Bashkimi Europian nuk po ju sjell Europën, ai e gjen Europën tek ju. Bashkimi Europian vetëm po ju ndihmon të fitoni kohën dhe mundësitë e humbura, të modernizoheni, të reformoheni dhe të vendosni standarde që tashmë i ndajnë 500 milionë qytetarë të BE-së”.

Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin deklaroi në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 9 Majit Ditës së Europës se, Bashkimi Europian është bashkimi i 500 milionë qytetarëve, ekonomia më e madhe në botë, me një PBB vjetore prej 14 trilion eurosh. Është blloku më i madh tregtar në botë, partneri kryesor tregtar i 80 vendeve, donatori më i madh në botë i asistencës për zhvillim dhe ndihmës humanitare. Qytetarët e Bashkimit Europian gëzojnë sistemin më të mirë të sigurimeve shoqërore në botë dhe kanë mbrojtjen më të mirë për të drejtat e tyre, mjedisin, ushqimin, shëndetin dhe arsimin e tyre”.

“Bashkimi Europian është një fuqi globale, nuk ka dyshim për këtë. Megjithatë, ajo çka e bën vërtet të fortë në thelbin e tij nuk është pasuria materiale, por mënyra me të cilën kupton, respekton dhe ruan dinjitetin njerëzor. Bashkimi ynë u krijua pas luftës më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit, nga njerëz të mençur, të cilët kuptuan se dallimet tona nuk duhet të prodhojnë një shumatore humbjesh, por një shumatore përfitimesh, se ne duhet të jemi në gendje t’u shtrijmë dorën ish-armiqve tanë, për të mirën tonë, se vetëm paqja mund të na ndihmojë të lulëzojmë. Dhe paqja nuk mund të merret kurrë e mirëqenë”, tha Vlahutin.

Kjo, theksoi ambasadorja Vlahutin, “kërkon një angazhim konstant e gjithnjë e më shumë punë për t’u bërë për të forcuar vetë Unionin dhe për të finalizuar projektin evropian duke përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në të. Dhe kjo nënkupton, përtej çdo dyshimi, Shqipërinë, një vend i vjetër evropian që ndjeu çdo dhimbje të historisë sonë të përbashkët. Një vend që u ndalua të bashkohej me thelbin evropian për shumë shekuj, por që kurrë nuk reshti së luftuari për identitetin e vlerat e veta evropiane, pavarësisht rreziqeve që iu kanosën”.

“Tranzicioni drejt Bashkimit Europian nuk është një udhëtim jashtë vendit, nuk një është rrugëtim së jashtmi. Ai është një rrugëtim i brendshëm, rrugëtimi i përballjes me mangësitë tuaja dhe me ndryshimin e tyre kryekëput në favorin tuaj”, tha Vlahutin, e cila theksoi se, “Shqipëria ka punuar fort gjatë tri dekadave të fundit dhe ka ndryshuar si asnjë vend tjetër në Evropë. Kjo trajektore është njohur edhe nga Komisioni Europian, i cili, pak javë më parë, dha një rekomandim pa kushte për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit”.

“Ky është një hap i rëndësishëm, megjithatë është vetëm njëri prej shumë hapave në rrugën tuaj përpara. Ajo çfarë duhet të vijë më pas do të jetë një detyrë mjaft kërkuese dhe do të duhet një ndryshim edhe më i thellë e më i gjithanshëm. Kjo nuk është një rrugë për cinikët apo dembelët apo të paditurit; ky transformim kërkon shumë punë, ambicje, imagjinatë, përqëndrim e përkushtim. Kurrë nuk ka pasur asnjë dyshim që qytetarët e Shqipërisë e duan këtë ndryshim”, tha Vlahutin.

Në fund, theksoi ambasadorja Vlahutin, “dua ta mbyll me fjalët e një shqiptari mjaft të mençur e një prej shkrimtarëve më të mirë evropianë të kohëve tona, një kolos artistik, Ismail Kadare: Çfarë është Europa për Shqipërinë? Do të përgjigjesha: vetvetja ose gjithçka. Më pas do t’i shtoja këto fjalë: Europa është gjendja natyrale e Shqipërisë dhe e vetmja”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button