BE dënon vrasjen e Ivanoviçit, Thaçi kërkon zbardhjen
Ndërsa Qeveria e Kosovës e dënoi ashpër vrasjen e politikanit serb, duke theksuar se një veprim i tillë sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në të gjithë territorin e Kosovës.
“Dhuna është e papranueshme, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, thuhet në deklaratën e saj. Ekzekutivi kosovar ftoi më tej të gjithë qytetarët, që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit, e u kërkoi mekanizmave të sigurisë që të kapin autorët e krimit dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë.
Atentatin e dënoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ftoi qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Aktualisht në pikat kufitare janë duke u ndërmarrë kontrolle të imtësishme detajuese ndaj personave dhe çdo automjeti që kalon.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ndërkohë, sipas gazetës “Blic” ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë më vonë gjatë ditës, e do të mbajë edhe një konferencë për shtyp mbi ngjarjen e rëndë.
Bashkimi Europian reagoi ndaj lajmit përmes Maja Koçijançiç, zëdhënëses së shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, që tha se blloku e dënon me forcë këtë vrasje. Koçijançiç bëri thirrje që të gjitha palët në Kosovë të tregojnë qetësi e të përmbahen, dhe që autoritetet përgjegjëse për sundimin e ligjit të kryejnë punën e tyre.