BE-ja humbet mbi 200 miliardë euro në vit nga mashtrimi dhe evazioni tatimor, vlerëson Komisioni Evropian
Sipas një raporti të Komisionit Evropian, 27 shtetet anëtare të BE-së humbasin çdo vit mbi 200 miliardë euro të ardhura tatimore që u takojnë me ligj, prej të cilave rreth 125 miliardë euro vetëm nga TVSH-ja.
27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian humbasin çdo vit mbi 200 miliardë euro të ardhura tatimore për shkak të mashtrimit, evazionit tatimor dhe mangësive administrative, vlerësoi të martën Komisioni Evropian, siç njofton Reuters.
Shuma, e barasvlershme me rreth 220 miliardë dollarë, përfaqëson atë që Komisioni e quan hendek i pajtueshmërisë tatimore: të ardhura që shteteve u takojnë me ligj, por që mbeten pa u mbledhur për shkak të evazionit, shmangies tatimore, mangësive administrative apo gabimeve të paqëllimshme, thuhet në raport.
Pjesën më të madhe të humbjes e përbën tatimi mbi vlerën e shtuar, me rreth 125 miliardë euro në vit, ndërsa gati 50 miliardë euro të tjera humbasin nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave.
Në raport, Komisioni u rekomandon shteteve anëtare të marrin masa konkrete, si përdorimi i teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, për të përmirësuar mbledhjen e tatimeve, si dhe forcimi i bashkëpunimit me gjykatat dhe autoritetet e falimentimit.
Raporti publikohet në një moment kur qeveritë evropiane përballen me deficite të larta buxhetore dhe me nevoja në rritje për shpenzime, çka e bën mbledhjen e plotë të të ardhurave tatimore gjithnjë e më të rëndësishme për financat publike të bllokut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.