Kohë plenumesh dhe përjashtimesh
Parodi politike

Plaka Nurihan e kishte marrë vesh lajmin që në orët e para të mëngjesit. Kishte ngritur zërin e televizorit, kishte vënë kafen në zjarr dhe, për herë të parë pas shumë kohësh, kishte ndier një gëzim të pashpjegueshëm.
— Filluan prapë, — tha me vete. — Sa kohë kishim pa parë një përjashtim të vërtetë!
Në kohën e saj, përjashtimet bëheshin zakonisht në vjeshtë ose në prag të dimrit. Njerëzit shkonin në mbledhje si anëtarë të udhëheqjes dhe ktheheshin prej andej si armiq të partisë. Kishte raste kur, gjatë kthimit për në shtëpi, nuk ishin më as bashkëshortë, sepse gruaja ndërkohë kishte marrë porosi të ndahej prej tyre.
Në selinë e SHQUP-it lajmi kishte shkaktuar një gjallëri të pazakontë. Nëpër korridore, njerëzit fërkonin duart dhe murmurisnin me kënaqësi:
— Po vrasin njëri-tjetrin! Po vrasin njëri-tjetrin!
Dikush propozoi që të pranonin në parti Elisa Spiropalin, ndërkohë që në kampin socialist Taulant Balla po mendonte të kooptonte në Asamblenë Socialiste Ervin Salianjin.
Në udhëheqjen e lartë të Partisë Socialiste mbretëronte një qetësi e rëndë. Secili përpiqej të merrte me mend se kush do të ishte viktima e radhës. Disa po rishikonin deklaratat e tyre të muajve të fundit. Të tjerë po fshinin mesazhet telefonike. Më të kujdesshmit përpiqeshin të kujtonin nëse gjatë ndonjë mbledhjeje kishin buzëqeshur kur fliste Spiropali.
Dy abstenimet kishin shkaktuar një shqetësim të veçantë. Nuk ishte përcaktuar ende nëse abstenimi përbënte gjysmën e një tradhtie apo një tradhti të plotë, të shprehur përgjysmë.
Sekretari i Përgjithshëm kishte shpjeguar se përjashtimet bëheshin në interes të integrimit evropian dhe të zgjedhjeve të ardhshme. Debati i brendshëm vazhdonte të ishte i lirë, por zhvillohej me dyer të mbyllura. Qytetarët do të njiheshin vetëm me vendimet.
Partia, natyrisht, nuk kishte hequr dorë nga debati. Mund të diskutohej për sportin dhe për luftën në Ukrainë. Nuk duhej përmendur AKSHI, Kadastra, tuneli, tigrat, aeroporti i Vlorës, uji i pijshëm, SHISH-I, pensionet , cmimet etj. Ndërsa për udhëheqjen e partisë nuk ishte e këshillueshme të diskutohej, sepse kjo mund të rrezikonte integrimin evropian.
Në radhët e patronazhistëve entuziazmi ishte i madh. Partia po pastrohej më në fund nga armiqtë e brendshëm. Në rrjetet sociale, të njëjtët njerëz që deri dje kishin lavdëruar zgjuarsinë, kulturën dhe besnikërinë e Spiropalit, tani zbulonin se prej vitesh kishin pasur dyshime serioze për të.
Disa deklaronin se e kishin kuptuar që në fillim. Të tjerë shkonin edhe më tej: nuk u kishte pëlqyer kurrë mënyra se si ajo duartrokiste.
Plaka Nurihan vazhdonte të ndiqte televizorin. E vetmja gjë që e shqetësonte ishte terminologjia e re. Nuk dëgjonte më fjalët “grup antiparti”, “veprimtari fraksioniste” apo “elementë armiqësorë”. Në vend të tyre flitej për integrimin evropian, kohezionin politik dhe përqendrimin te qeverisja.
Megjithatë, procedurat i njihte mirë.
— Kanë ndryshuar ca fjalë, — tha plaka, duke fikur televizorin. — Po plenumin e bëjnë tamam si në kohën tonë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.