BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve në Kosovë dhe rajon për përmbajtje pas vendimeve të Hagës
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Kristijan Vigand, deklaroi në Bruksel se BE-ja mori në dijeni vendimet e shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke theksuar se drejtësia duhet të shkojë rrugën e vet, pa ndërhyrje.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje të gjithë aktorëve, në Kosovë dhe në rajon, për përmbajtje pas vendimeve të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Deklaratën e bëri sot në Bruksel zëdhënësi i Komisionit Evropian, Kristijan Vigand, në konferencën e rregullt për shtyp.
Sipas Vigandit, BE-ja mori në dijeni vendimet e shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilat, theksoi ai, u morën në një proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor, të bazuar në përgjegjësinë penale individuale. Të dënuarit, shtoi ai, kanë të drejtë ankimi në procedurë të veçantë.
“Dhomat e Specializuara dhe prokuroritë e Kosovës duhet ta zbatojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje. Drejtësia duhet të shkojë rrugën e vet, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat”, tha Vigand. Ai shtoi se autoritetet në Kosovë kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në territorin e Kosovës.
Zëdhënësi kujtoi mbështetjen afatgjatë të BE-së për Dhomat e Specializuara, institucion i ngritur në kuadër të sistemit juridik të Kosovës me vendim të Kuvendit të Kosovës. Puna e këtij institucioni, tha ai, është e rëndësishme për të siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës, çka kontribuon në pajtim.
Qëndrimin e BE-së e përsëriti edhe zëdhënësi i KE-së, Gijom Mersie, i cili kujtoi deklaratën e komisioneres për zgjerim, Marta Kos, se vendimet e gjykatës duhen respektuar dhe se bëhet fjalë për vendime të shkallës së parë për përgjegjësi individuale, për të cilat të dënuarit kanë të drejtë ankimi. Mersie u tha aktorëve në rajon se vetëm “përmes pajtimit mund t’i kapërcejnë ndarjet dhe ta përqafojnë të ardhmen e përbashkët brenda BE-së”.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.