BE jep 100 milionë euro për Shqipërinë, fokusi te lëndët e para kritike, mjedisi dhe reformat demokratike
Publikimi i fundit në Fletoren Zyrtare ka zbardhur detajet e një programi të gjerë bashkëpunimi dhe financimi nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë. Me një buxhet total prej 100 milionë eurosh të planifikuar për periudhën 2025-2027, marrëveshja synon të mbështesë sektorin e lëndëve të para kritike (CRM), mbrojtjen e mjedisit, si dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe institucioneve demokratike në vend.
Zhvillimi i lëndëve të para kritike dhe tranzicioni i gjelbër
Një nga shtyllat kryesore të këtij programi është integrimi i Shqipërisë në zinxhirët industrialë të BE-së për materialet e papërpunuara, të cilat janë thelbësore për tranzicionin e gjelbër. Veprimi parashikon ngritjen e një qendre kërkimore me akses të hapur, standardizimin e të dhënave gjeologjike dhe mbështetjen e inovacioneve teknologjike në sektorin minerar.
Krahas zhvillimit ekonomik, theks i veçantë i kushtohet mbrojtjes së mjedisit dhe ekonomisë, duke përfshirë ripërdorimin e mbetjeve minerare.
“Ky veprim do të kontribuojë në arritjen e objektivave klimatike të BE-së dhe të Shqipërisë përmes burimit, përpunimit dhe riciklimit të lëndëve të para kritike në Evropë, si dhe sigurimin e zinxhirëve të furnizimit.”, thuhet në material.
Dokumenti thekson se përpunimi i këtyre lëndëve do të udhëhiqet nga parimi evropian “Mos shkakto dëme të konsiderueshme”, duke zbatuar mekanizma të fortë të mbrojtjes mjedisore.
Fuqizimi i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore
Pjesë e rëndësishme e fondeve do të shkojë për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve demokratike dhe mbështetjen e shtresave të cenueshme. Programi synon të rrisë transparencën në menaxhimin e financave publike, të mbështesë lirinë e medias përmes Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe të përmirësojë aksesin në drejtësi.
Gjithashtu, marrëveshja thekson mbështetjen e drejtpërdrejtë për barazinë gjinore, përfshirë buxhetimin e ndjeshëm ndaj gjinisë dhe promovimin e grave në sektorë të dominuar nga burrat, si ai i minierave.
“Kapaciteti i institucioneve demokratike në Shqipëri për të funksionuar në përputhje me parimet e efikasitetit dhe llogaridhënies do të forcohet, duke rritur kështu besimin publik dhe besimin në institucionet demokratike.”, thuhet në dokument.
Buxheti, zbatimi dhe roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit
Marrëveshja e financimit, e cila ka një periudhë zbatimi operacional deri në 72 muaj, do të menaxhohet përmes granteve, prokurimeve të drejtpërdrejta dhe menaxhimit të tërthortë. Shuma prej 100 milionë eurosh është e ndarë në këste vjetore (2025-2027), ku një pjesë e konsiderueshme prej rreth 59.1 milionë eurosh do të zbatohet përmes entiteteve të vlerësuara sipas shtyllave të BE-së.
Një detaj i rëndësishëm i dokumentit është mbështetja e vazhdueshme për reformën në drejtësi, specifikisht për procesin e vetingut, i cili do të monitorohet përmes menaxhimit të tërthortë me Agjencinë Austriake të Zhvillimit (ADA).
“Komisioni autorizon që shpenzimet e kryera, në kuadër të mbështetjes për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të njihen si të pranueshme që nga data 1 shtator 2025, për shkak të natyrës së tyre sensitive dhe prioritetit të lartë.”, theksohet në dokument.
Për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien, Bashkimi Evropian ka parashikuar mekanizma të rreptë të monitorimit të jashtëm, auditimit dhe vlerësimit të performancës gjatë gjithë ciklit të zbatimit të këtij plani veprimi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.