SEUL – Erdogan: Koreja e Jugut mund të bëhet partnere në ndërtimin e centralit bërthamor në Sinop
– Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se Koreja e Jugut mund të bëhet partnere në ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Turqisë, i cili është planifikuar të ndërtohet në Sinop, në brigjet e Detit të Zi, raportoi “Anadolu”.
Në një intervistë për agjencinë koreano-jugore të lajmeve “Yonhap”, përpara vizitës së tij zyrtare në Seul, Erdogan tha se Turqia po shqyrton mundësitë e bashkëpunimit me kompaninë shtetërore koreano-jugore, “Korporata e Energjisë Elektrike e Koresë” (KEPCO).
Sipas tij, të dyja palët kanë zhvilluar studime paraprake për të vlerësuar, nëse projekti është i realizueshëm nga pikëpamja teknike dhe ekonomike.
“Ne e konsiderojmë Republikën e Koresë një partnere me potencial të madh për këtë projekt”, deklaroi Erdogan.
Megjithatë, presidenti turk theksoi se vendimi përfundimtar për zgjedhjen e partnerit, do të merret pasi të shqyrtohen disa faktorë, përfshirë mënyrën e financimit, koston e prodhimit të energjisë elektrike dhe përfitimet që projekti mund t’i sjellë ekonomisë turke.
Ai shtoi se Ankaraja po shqyrton edhe mundësi të tjera bashkëpunimi me vende të ndryshme, duke u mbështetur te interesat kombëtare të Turqisë.
Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e energjisë bërthamore, mori një shtysë në nëntor 2025, kur Turqia dhe Koreja e Jugut nënshkruan një memorandum mirëkuptimi.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim për teknologjinë e reaktorëve bërthamorë, vlerësimin e vendit ku do të ndërtohet centrali, procedurat e licencimit, financimin dhe modelet e biznesit.
Gjatë intervistës, Erdogan përmendi edhe fusha të tjera ku dy vendet mund të thellojnë bashkëpunimin, si industria e mbrojtjes, gjysmëpërçuesit, inteligjenca artificiale dhe robotika.
Ai u bëri thirrje kompanive koreano-jugore të rrisin investimet në Turqi dhe të bashkëpunojnë me kompanitë vendase, për prodhimin e përbashkët dhe zhvillimin e teknologjive të reja.
Një tjetër objektiv i përbashkët, është rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve në 15 miliardë dollarë.
Erdogan kërkoi gjithashtu që të punohet për të ulur çekuilibrin tregtar në favor të Koresë së Jugut.
Sipas të dhënave të cituara prej tij, në vitin 2025 Turqia eksportoi rreth 1,14 miliardë dollarë mallra drejt Koresë së Jugut, ndërsa importet nga ky vend arritën në 10,26 miliardë dollarë.
Presidenti turk mbërriti sot në Seul, i shoqëruar nga bashkëshortja Emine Erdogan dhe një delegacion zyrtarësh e ministrash. Kjo është vizita e tij e parë në Korenë e Jugut që prej vitit 2018.
Ai pritet të zhvillojë nesër një takim me presidentin koreano-jugor, Lee Jae-myung, ku në qendër të diskutimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.
Dy vendet do të shënojnë në vitin 2027, 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.