MaqedoniaRajoni

BE me 37 milionë euro ndihmon punësimin, arsimin dhe inkluzionin social në Maqedoni

Komisari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johanes Hahn ka lançuar të martën në Shkup fushatën mbarëkombëtare me të cilën bëhet promovimi i asistencës së BE-së në investim në resurse njerëzore, e titulluar “Besojmë në ty, Investojmë në ty, BE për ty”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së opinionit rreth investimeve që BE i ka siguruar në fushën e punësimit, arsimit dhe inkluzionit social, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prononcimin e tij, komisari Hahn tha se BE më parë ka qenë e përqendruar në gjetjen e zgjidhjes për krizën politike në Shkup, për të shtuar se tashmë me fundin e kësaj krize, fokusi i tyre do të jetë në bashkëpunimin me autoritetet e Maqedonisë drejt përmirësimit të kushteve të jetesës, për çka flet edhe motoja e fushatës së lançuar.

Sipas tij, suksesi i kësaj fushate do të parandalojë ikjen e trurit nga Maqedonia në vendet e BE-së, sepse do të krijojë kuadër sipas nevojave të tregut të punës.

“Për tre sektorët e lartpërmendur ne kemi siguruar 37.5 milionë euro sepse janë të lidhur njëri me tjetrin, punësimi, arsimi dhe inkluzioni social. Synimi ynë është të përmirësojmë kushtet e jetesës për qytetarët e këtushëm. Kam qenë disa herë këtu lidhur me krizën politike, por tani jam shumë i lumtur që kemi lëvizur nga situata e emergjencës në një të orientuar në ardhmërinë”, tha Hahn.

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Oamani, nga ana e tij tha se numri prej 13 mijë përdoruesve të fondeve të BE-së për avancimin e kapaciteteve të tyre për të gjetur punë, paraqet një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit, ku duhet shtuar edhe trajnimet për mbi 1000 punonjës në sferën e arsimit.

“Me këtë rritet cilësia e arsimit të gjeneratave të ardhshme, të rinjve dhe kjo ndikon në avancimin e afësive tona komparative për të garuar në tregun evropian të punës. Këto janë vlera në të cilat ne politikanët zotohemi, për të cilat ia vlenë të angazhohemi, dhe të zotohemi se do ta afrojmë Maqedoninë më afër vlerave evropiane”, tha Osmani.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, në fjalimin e saj në fillim të fushatës, tha se qytetarët e Maqedonisë njohin mirë papunësinë dhe varfërinë, për të shtuar se qeveria të cilën e përfaqëson është fort e përkushtuar të sjellë dritë në këtë errësirë.

“Programi për resurse njerëzore 2007-2013, tha ajo, u implementua përmes një modeli të decentralizimit, ndërsa me masat për punësim të mbështetura nga BE-ja me komponentën e katërt IPA, u mundësua që 13 mijë persona të ndërtojnë aftësitë e tyre që më lehtë të futen në tregun e punës, ku si rrjedhojë 65 për qind tashmë janë të punësuar dhe kontribuojnë për ekonominë e Maqedonisë”, tha Carovska.

Në fushën e inkluzionit social, tha ajo, qëllimi ishte orientuar në uljen e niveleve të përjashtimit social, promovimin e barazisë gjinore dhe mundësitë e barabarta në tregun e punës për çka janë investuar gjithsej 6 milionë euro për gjithsej 45 grante të zbatuara nga shoqëria civile dhe autoritetet lokale, qendrat sociale dhe shkollat profesionale.

Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, nga ana e tij premtoi reformimin e financave publike me çka projektet e BE-së do të gjejnë zbatim më të mirë në Maqedoni, meqë njëherësh paraqesin harmonizim me ato të BE-së.

Paraprakisht, i shoqëruar nga Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Oamani, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, dhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski, Komisari Han vizitoi Agjencinë për Punësim, ku në bashkëbisedim me zyrtarët e atjeshëm u njoh nga afër për rezultatet e deritanishme të bashkëpunimit me BE-në, dhe më pas me autobusin urban i cili mbante mbishkrimet e projektit, shkuan në Zyrën e BE-së në Shkup, për të marrë pjesë në eventin për fillimin e fushatës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button