Begaj dekretoi pagat e reja të magjistratëve, Bardhi: Çështja nuk lidhet vetëm me pagat, prek rolin e Kushtetueses
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi pagat e reja të magjistratëve.
Bardhi e ka kritikuar vendimin e Presidentit, duke argumentuar se çështja nuk lidhet vetëm me pagat, por edhe me marrëdhëniet ndërmjet institucioneve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese.
Nderkaq, ai ka shprehur gjithashtu kritika për mënyrën se si, sipas tij, Presidenti ka ushtruar rolin e tij kushtetues në këtë rast.
Postimi i plotë:
Asnjë surprizë nga roja e godinës së Parlamentit, Bajram Begaj!
Brenda 24 orëve, pa ushtruar në mënyrë të dukshme rolin e tij kushtetues si garant i Kushtetutës dhe si faktor ekuilibrues institucional, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shpalljen e ligjit për statusin e magjistratëve.
Çështja nuk është thjesht te pagat e magjistratëve. Bëhet fjalë për një ligj që prek drejtpërdrejt arkitekturën kushtetuese të shtetit, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe raportin ndërmjet pushteteve, veçanërisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.
Kushtetuta e ka konceptuar Presidentin e Republikës si një figurë mbi palët, me një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit institucional dhe në përballimin e krizave kushtetuese. Pikërisht për këtë arsye, në momente të përplasjeve ndërmjet institucioneve, qytetarët presin nga Presidenti qëndrime të qarta dhe ushtrimin e plotë të kompetencave që i jep Kushtetuta.
Injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, nëse konstatohet, nuk mund të reduktohet në një debat teknik mbi pagat e gjyqtarëve. Po aq serioze është edhe situata e krijuar nga vonesat në trajtimin e tyre financiar. Këto çështje kërkojnë zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, jo një përshkallëzim të konfliktit ndërinstitucional.
Në këtë situatë, dekretimi i ligjit pa një qëndrim publik të Presidentit mbi përplasjen institucionale dhe mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po ushtrohet roli i tij kushtetues. Kushtetuta i ka dhënë një rol shumë më të rëndësishëm: të jetë mbi palët dhe të garantojë funksionimin kushtetues të shtetit.
Për fat të keq, Presidenti i Republikës nuk perceptohet më si arbitër dhe garant i ekuilibrit kushtetues, por si një institucion që thjesht formalizon vendimmarrjen e mazhorancës.
Institucioni i Presidentit nuk është Drejtor Thesari dhe as roje e godinës së Kuvendit. Bajram Begaj po.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.