A na duhet ende ambasada?
Nga Ardit Rada
Për tridhjetë vjet Uashingtoni i mësoi Ballkanit se politika amerikane kalonte nga ambasada amerikane. Tani rajoni ka zbuluar se ka edhe hyrje të tjera, dhe po i përdor.
Më 16 shtator një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara e respektonin vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, mbështesnin llogaridhënien dhe procesin e rregullt ligjor dhe dëshironin që palët të shmangnin retorikën nxitëse. Ky ishte qëndrimi i Shteteve të Bashkuara. Zinte katër fjali dhe nuk u publikua në state.gov
Po atë ditë Richard Grenell e quajti vendimin skandaloz, sulmoi gjyqtarët dhe prokurorin dhe i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të ndërpriste financimin e gjykatës dhe Kuvendit të Kosovës ta shpërbënte atë. Të nesërmen në mbrëmje, në Top Channel, tha se nuk besonte se Shtetet e Bashkuara apo Presidenti Trump do të përfshiheshin dhe se vendimin duhej ta merrnin kryeministri dhe parlamenti i Kosovës.
Njëzet e katër orë më vonë pastori Mark Burns u shfaq përmes lidhjes me video në Kuvendin Kombëtar të Serbisë. Shtetet e Bashkuara, tha ai, e dinin se të krishterët po përndiqeshin në Kosovë, merrnin raporte çdo ditë dhe Presidenti Trump nuk e mbështet këtë. Në korrik Burns i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se vizita e tij në Kosovë nuk ishte koordinuar me administratën dhe se nuk kishte ardhur si i dërguar i askujt.
Në të gjithë këtë panoramë, nuk ka asgjë të paligjshme apo të panjohur.
Amerika ka pasur gjithmonë lobistë, ish-zyrtarë, miq fushatash, pastorë dhe njerëz që njohin njerëzit e duhur. Qeveritë në gjithë botën i kultivojnë. Ballkani thjesht ka mësuar si funksionon sistemi. Republika Srpska e ka mësuar në formën më të drejtpërdrejtë: regjistrat e Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj, FARA, e listojnë Dickens & Madson Canada si përfaqësuese të Republikës Srpska, ndërsa marrëveshja e depozituar në Departamentin e Drejtësisë përcakton si synim përfundimtar pavarësinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Radio Evropa e Lirë raportoi më 23 korrik se kontrata vlente katër milionë dollarë. FARA ekziston pikërisht që të gjithë të shohin kush paguan kë. Rajoni nxori prej asaj dosjeje një mësim tjetër.
Tani ekziston një treg dytësor i autoritetit amerikan.
Në njërën anë është ambasada: kabllogramet, notat, deklaratat, zyrtarët me emër dhe mandat që mund të verifikohen dhe fjalët e të cilëve mbeten të dokumentuara. Në tjetrën, afërsia. Një politikan njeh dikë që njeh Presidentin. Një pastor ka hyrje-dalje në rrethin e tij. Një ish i dërguar ka ndjekësit e vet. Një këshilltar zbret nga avioni pa asnjë njoftim zyrtar, bëhet një fotografi, thuhet një fjali dhe deri në darkë titulli është: “Uashingtoni thotë…”
Beogradi e kupton këtë. Banja Luka e kupton. Edhe Prishtina dhe Tirana e kuptojnë. Diplomacia jokonvencionale nuk është problemi. Në prill Kimberly Guilfoyle, ambasadorja amerikane e akredituar në Greqi, erdhi në Tiranë për nënshkrimin e një marrëveshjeje 20-vjeçare për LNG-në. Ishte jashtë vendit ku ishte akredituar dhe po shtynte përpara agjendën energjetike të Presidentit. Por kishte një ambasadore, një ceremoni publike, kompani me emër, një përfaqësues të qeverisë dhe një tekst që çdokush mund ta lexonte të nesërmen në mëngjes. Mandati mund të verifikohej.
Prandaj pyetja që bën sot një qeveri ballkanike nuk është më nëse Uashingtoni e mbështet diçka. Pyetja është cili Uashington: zëdhënësi, ambasadori, miku i Presidentit, ish i dërguari, këshilltari shpirtëror, agjenti i regjistruar apo ai që premton se mund t’ia çojë mesazhin dikujt që ka rëndësi?
Këta zëra nuk kanë të njëjtën peshë edhe pse flasin në të njëjtën hapësirë publike, dhe çdo sistem politik në rajon ka interes që dallimi të mos duket. Deklarata e ambasadës vjen me rezerva, e negociuar dhe aq vonë sa t’i ketë mbijetuar çdo verifikimi. Zëri privat vjen menjëherë dhe thotë atë që një publik dëshiron të dëgjojë. Merreni me mend cili bën televizion…
Pasoja për diplomacinë amerikane nuk është humbja e ndikimit, por humbja e autoritetit për të thënë se çfarë ka thënë Amerika. Ambasada ende e di cila është politika. Por ajo që vendi pritës beson se Amerika ka thënë, tani vendoset gjetkë. Këtë javë ekzistonte një qëndrim zyrtar amerikan për vendimin e Hagës. Një shikues i ekraneve të rajonit mund të ndeshte disa Amerika të tjera përpara se të mbërrinte tek ai.
Për tridhjetë vjet një ambasador amerikan hynte në çdo dhomë të Ballkanit me një avantazh të madh: Kur fliste ai, të gjithë e dinin qeveria e kujt kishte folur. Kjo sot nuk është më e sigurt. Kryeqyteteve ballkanike u duhen ende ambasadat amerikane, sigurisht. Pyetja për Uashingtonin është pse ata mendojnë se u duhen edhe kaq shumë amerikanë të tjerë, dhe çfarë po i bën kjo peshës së vetë zërit amerikan?
Shkrimi origjinal në gjuhen angleze në Tirana Examiner
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.