Begaj në konferencën e DECI: Partneriteti me SHBA dhe bashkëpunimi me BE, prioritet. Kosova, të jetë pjesë e iniciativave rajonale
Presidenti Bajram Begaj, ka marrë pjesë në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje(DECI). Në fjalën përshëndetëse, Begaj bëri apel për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe politik mes partnerëve të kësaj iniciative. “Kërcënimet tradicionale bashkëjetojnë me rreziqe të reja: sulmet kibernetike, ndërhyrjet hibride, dezinformimin dhe cenimin e infrastrukturës kritike. Në këto kushte, për të gjitha vendet, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve që ato kanë, siguria mbetet prioritet strategjik dhe ajo nuk mund të garantohet e vetme. Siguria jonë varet gjithnjë e më tepër nga aftësia për të bashkëpunuar, për të parandaluar kërcënimet dhe, kur është e nevojshme, për t’iu përgjigjur atyre së bashku. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e Iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes (DECI)”, deklaroi Presidenti.
Duke iu referuar sfidave të sigurisë, përfshirë dhe zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, Kreu i Shtetit nënvizoi: “Paqja është e brishtë, se kufijtë dhe sovraniteti i shteteve mund të kërcënohen dhe se siguria nuk është një arritje e pakthyeshme”. Në këtë situatë, Presidenti vlerësoi progresin 14-vjeçar që duhet të vijojë me zgjerimin e bashkëpunimit praktik, veçanërisht në shkëmbimin e teknologjive dhe të ekspertizës, mbrojtjen nga sulmet kibernetike, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, sigurinë detare dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike.
Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e investimeve në mbrojtje, duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë kolektive të Aleancës.
“Për Shqipërinë, forcimi i NATO-s, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe zgjerimi i sigurisë përmes bashkëpunimit rajonal mbeten prioritet të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”, deklaroi Kreu i Shtetit.
Duke u ndalur te sfidat e Ballkani Perëndimor, Presidenti Begajnënvizoi progresin e bërë, por theksoi se siguria e rajonit nuk mund të konsiderohet ende e konsoliduar.
“Besoj se forcimi i arkitekturës rajonale të sigurisë kërkon një bashkëpunim gjithnjë e më gjithëpërfshirës, ku edhe Kosova duhet të ketë vendin dhe kontributin e saj. Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, u shpreh Kreu i Shtetit, duke theksuar njëherazi rëndësinë e KFOR-it në Kosovë dhe të strukturave të tjera ndërkombëtare të sigurisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi se Konferenca e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI) duhet të shërbejë si një platformë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe marrjen e përgjegjësive të përbashkëta, duke theksuar: “Paqja nuk ruhet vetëm duke thënë se e dëshirojmë atë; paqja ruhet duke investuar, duke investuar në siguri, duke investuar për të forcuar aleancat, duke investuar për të vepruar së bashku”.
Në këtë takim morën pjesë vendet anëtare, si: Italia, Austria, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia. Këtë vit Shqipëria ishte vend organizator dhe bashkëdrejtuese e nismës me shtetin italian. Gjithashtu, në konferencë ishin të ftuar edhe Komanda e Bashkuar e NATO-s në Napoli, Komandanti i misionit të KFOR-it, Komandanti i misionit EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë, e të tjerë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.