Belgjika mund t’i japë azil liderit të Katalonjës
Ministri belg për Refugjatët dhe Migracion, Theo Francken, ka njoftuar se mund t’i jepet azil presidentit të qeverisë rajonale të Katalonjës, Carles Puigdemont, në rast se bën kërkesë.
Francken, në një deklaratë për kanalin televiziv të Belgjikës, VTM, tha se “Carles Puigdemont ende nuk ka bërë ndonjë kërkesë për azil. Por nëse bën, duke e pasur parasysh situatën aktuale mund t’i jepet azil.”
Ai më tej duke theksuar se në rast të strehimit të Puigdemont në Belgjikë, në përputhje me ligjet e Belgjikës lideri katalan nuk do të ekstradohet në Spanjë, vuri në dukje se kjo do të krijoj tension në marrëdhëniet diplomatike me Spanjën.
“Dyshoj që Puigdemont do të gjykohet në mënyrë të drejtë”, tha Francken, duke rikujtuar se lideri katalan mund të dënohet me burg.
Puigdemont i cili u shkarkua nga detyra pas shpalljes së pavarësisë kishte thënë se nuk i njohin vendimet e marra nga qeveria qendrore e Spanjës. Puigdemont kërkoi nga qytetarët e Katalonjës që ta mbrojnë me përgjegjësi “republikën e tyre të re”.