Politika

Ben Blushi: Modeli i ketij parlamenti po rrënon shoqërinë

Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohej ligji për dekriminalizimin, deputeti Ben Blushi mbajti një fjalim, që e mbajti sallën të heshtur dhe ishte një nga fjalimet më të mirë prej kohësh në Kuvend. Blushi tha se ky është parlamenti më i shëmtuar në Europë, që pranon se është i kriminalizuar. Sipas tij, dëmi nuk i është bërë parlamentit, por i është bërë shoqërisë. Më poshtë disa pjesë nga fjalimi i tij:

Për fat të keq jemi sot parlamenti më i shëmtuar në Europë, që pranon se këtu ka kriminelë.

Të mos ishte për presionin ndërkombëtar, ky ligj nuk do miratohej as sot, as mot.

Kush i futi ata në parlament, kjo është çështja?

Unë besoj se sot është dita, që të gjithë ne që pranuam të bashkëjetojmë me krimin në parlament, të kërkojmë ndjesë, sepse ata na u imponuan.

Kjo damkë nuk do i ndahet këtij Kuvendi për shumë dekada.

Përgjegjësia nuk është kolektive, është e atyre që i sollën në Kuvend, i parfumosën, u bënë makijazh.

Dëmi që i është bërë këtij parlamenti është shumë më i vogël se dëmi që i është bërë shoqërisë shqiptare.

Këta njerëz u kthyen në model për shoqërinë: të jesh i fortë dhe i paprekshëm është në modë në Shqipëri.

Njerëzit po ikin nga Shqipëria edhe për shkak të këtij modeli.

Çfarë u themi ne të rinjve të Shqipërisë? Mos përdorni mendjen, por përdorni muskujt. Mos shkoni në shkollë, por vrisni, vidhni, trafikoni, shisni njerëz, shisni drogë pasi kjo është mënyra më efikase për të marrë një post publik.

Çfarë i thotë ky parlament një fëmije në provincë? Parlamenti i thotë shit drogë, vrit.

Kemi krijuar një model, që sot duhet ta ndëshkojmë me votë.

Ne kemi degraduar sistemin arsimor, kemi prishur sistemin e meritës, kemi shkatërruar sistemin e karrierës, duke ndërtuar klasën e atyre që nuk ndëshkohen.

Një qeveri ndoshta nuk ka mundësi të bëjë shumë, por e edukon një shoqëri, i jep modele asaj.

Ky model do rezistojë për shumë vjet, edhe kur ne të mos jemi këtu.

Ky ligj do jetë i paplotë dhe i pazbatueshëm për sa kohë që burimet e kësaj shoqërie nuk ndryshojnë.

Nëse përrenjtë janë pis, lumi është pis.

A e dini kush janë përrenjtë e këtij parlamenti? Partitë tona. Nuk është shoqëria, janë partitë politike.

Përsa kohë partitë politike, ato përrenj që furnizojnë parlamentin, nuk janë demokratike, nuk votohen, nuk zgjedhin dhe nuk zgjidhen, ky është problemi i këtij parlamenti.

Edhe unë që flas, jam pjesë e një partie që as voton, as zgjedh njeri, fut në lista njerëz të pandershëm, të padrejtë, të dënuar, sepse në partinë time nuk ka votim. Kjo është kosto për Shqipërinë.

Partitë tona tani janë një ndërmarrje fitimprurëse. Kështu janë edhe partitë e mëdha, edhe të voglat.

Ato nuk ndryshojnë nga programet, sepse nuk kanë programe për fat të keq.

Konkurrenca e tillë i ka shtyrë partitë që të thërrasin nën armë të gjithë ata që shkelin ligjin. Kjo do vazhdojë, përsa kohë partitë tona nuk do jenë demokratike, parti europiane të vërteta.

Kjo është arsyeja pse drejtësia pengohet dhe do vazhdojë të pengohet.

E di që ka shumë njerëz që rrudhin buzët duke më dëgjuar mua dhe unë i mirëkuptoj.

Por unë e kam bërë dallimin mes xixëllonjës dhe dritës.

Ka deputetë këtu që mbrojnë faktin që ne i ftuam banditët në parti sepse duhej të mundnim disa banditë të tjerë.

Këtë nuk e pranoj. Ky është argument racist.

Ky është një paragjykim ndaj shqiptarëve se nuk rrëzojnë dot banditët me votë. Kjo u heq shqiptarëve aftësinë për të rrëzuar kriminelët.

Të bëhesh palë me banditët, për të rrëzuar banditët, do të thotë të bëhesh si banditët.

Asnjë komb pas Luftës së Dytë Botërore nuk e ka bërë këtë. Të gjithë kanë bërë një pakt: e kanë cilësuar krimin si pa parti.

Ne dështuam dhe vazhdojmë të dështojmë me nder dhe sukses çdo ditë.

Në fund dua t’u jap përgjigje xixëllonjave që janë këtu tek balli i partisë: Fëmijët e fshatrave e vënë një xixëllonjë këtu në ballë për të gjetur derën e banjos, por ajo nuk është dritë që të nxjerr nga errësira.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button