Berisha për Zvërnecin: Dënoj me forcë dhunën ndaj protestuesve, PD mbështet investimet e huaja
Kryedemokrati, Sali Berisha, pasi u paraqit në SPAK këtë të hënë, 1 qershor, në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, u ndal dhe tek çështja e Zvërnecit.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm se cili është qëndrimi i tij dhe i forcës politike lidhur me projektin, Berisha u shpreh se dënon dhunën e ushtruar ndaj protestuesit. Ai e cilësoi si një akt të shëmtuar të Policisë së Shtetit.
Më tej, Berisha theksoi se PD-ja mbështet fuqimisht investimet e huaja.
“Në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Një.
Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse t’ju them këtu, e kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë.
Së treti, meqenëse e doni këtu, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë.
Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Ja u them këtu, pse u vu ky ligj?
U vu ky ligj sepse konstatoja që me investitorë shqiptarë nuk ndodhte, kurse me investitorë të huaj vraponin pas pengmarrjes. Dhe informacionet që më vinin, dilte njëri e i thoshte jo, do paguash kaq se jam unë kaq. Dhe kjo linte vendin pa investime. Atëherë ne ç’bëmë?
Në qoftë se ti djem, nuk jam unë ai që them se s’di ç’janë dokumentat, por që është dokument shtetëror, do t’i dalë zot dhe do mbajë përgjegjësi. Do t’i dalë zot dhe do mbajë përgjegjësi shteti“, tha ai.
Kujtojmë se prej disa ditësh, qytetarë dhe aktivistë të shumtë janë përfshirë në protesta, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, duke paralajmëruar pasoja të mundshme mjedisore.
Protesta janë mbajtur si në Zvërnec, pranë zonës së projektit, por gjithashtu dhe në kryeqytet (më 31 maj, teksa është paralajmëruar edhe për këtë të hënë, 1 qershor, një marshim i radhës).
Në zonë parashikohet ndërtimi i një kompleksi të madh turistik, me investime që kapin vlera miliardëshe.
Në reagimet e mëparshme, kryeministri ka theksuar se bëhet fjalë për një pronë private prej rreth 300 hektarësh, e se investitorët kanë siguruar tokën përmes marrëveshjeve me pronarë privatë dhe jo nga shteti shqiptar.
Gjithashtu, ditën e sotme, 1 qershor, u është hequr licenca dy kompanive private të sigurisë, punonjësit e të cilave u filmuan duke dhunuar protestuesit që po kundërshtonin paqësisht kundër punimeve në zonë.
Nga hetimet, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet private, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje.
Shkeljet e konstatuara nga Policia:
-Subjekti ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit. Këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës.
-Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre. Ndërsa punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.