Politika

Berisha: Rama po u mbyll gojën kundërshtarëve

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, se po tenton t’u mbyllë gojën kundërshtarëve të tij.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha i është referuar dënimit për shpifje të deputetëve Paloka e Ristani, vendim sipas tij i papreçedent.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë ishte i papreçedent. Gjykata Evropiane nuk e ka penalizuar kurrë shpifjen. Vendimi i gjyqtarëve është marrë nën presionin e tmerrshëm të kryeministrit”, ka thënë Berisha.

Ish-kryetari i PD ka vlerësuar se, Rama përbën një rrezik për median e lirë, duke dhënë si shembull televizionin “Agon”, sekuestrimi i të cilit sipas tij është skenar i qeverisë.

Më tej, duke komentuar situatën elektorale në vend, Berisha ka kritikuar vendimin e KQZ-së që refuzoi dorëheqjen e kandidatit të PD për Kurbinin.

“Kolegji Zgjedhor ka dhënë një vendim sikur të ishte repart i Partisë Socialiste”, është shprehur Berisha, i cili ka folur për manipulime masive që po përgatiten nga koalicioni qeverisës për zgjedhjet.

“Këto janë zgjedhjet më të implikuara në të gjitha llojet e manipulimeve. Sulmi dhe agresioni fizik ndaj kryetarit të opozitës nuk ka ndodhur kurrë më parë, blerjet e votave haptas, me patenta, me lekë, me xinse dhe regjistrimi i zgjedhësve fiktivë tregojnë shpenzimet për fushatën”, ka shtuar Berisha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button